
Turqia ka publikuar listën me 30 lojtarët e ftuar për fazën “play-off” të Botërorit, ndërsa një nga mungesat më të komentuara është ajo e Arda Okan Kurtulan. Përzgjedhësi Vinçenzo Montela nuk e ka përfshirë 23-vjeçarin, për të cilin prej muajsh është diskutuar një ftesë e mundshme për herë të parë në kombëtaren turke.
Reagimet nuk kanë munguar në rrjetet sociale, ku tifozët kanë shprehur pakënaqësi për këtë vendim. Në një prej komenteve thuhet: “Nëse Arda Okan Kurtulan do të ishte rritur duke luajtur në ekipet e Stambollit, tashmë do të ishte përzgjedhur në ekipin kombëtar. Këtë e di e gjithë Turqia. Jam lodhur nga vendimet e padrejta. Mjaft!”.
Në këtë situatë, hapet një mundësi potenciale për Shqipërinë. Kurtulan, i cili aktivizohet me Goztepe në Superligën turke, ka spikatur me paraqitjet e tij dhe është një lojtar polivalent në krahun e djathtë.
Futbollisti ka qenë pjesë e Shqipërisë U-21 deri në vitin 2024, por një ftesë nga trajneri i kombëtares A, Silvinjo, nuk është zyrtarizuar deri më tani. Ndërkohë, emri i tij vijon të përmendet shpesh nga tifozët turq si një alternativë për përfaqësuesen e tyre.

Lini një Përgjigje