Në përballjen mes Portugalisë dhe Uzbekistanit në Kampionatin Botëror 2026, Kristiano Ronaldo ishte protagonisti absolut, duke e kthyer ndeshjen në një tjetër kapitull historik të karrierës së tij. Sipas materialeve zyrtare, sulmuesi portugez regjistroi disa rekorde dhe arritje që e konsolidojnë më tej statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
Një nga momentet më të rëndësishme ishte fakti se Ronaldo u bë futbollisti i parë në histori që shënon gola në gjashtë edicione të ndryshme të Kampionatit Botëror. Ky rekord unik e vendos atë në një kategori më vete në arenën ndërkombëtare.
Me dygolëshin e realizuar në këtë takim, ai vendosi edhe një tjetër rekord moshe. Në moshën 41 vjeç e 138 ditë, Ronaldo u bë lojtari më i vjetër që shënon dy gola në një ndeshje të Botërorit. Ai tejkaloi kështu arritjet e mëparshme të Lionel Mesit dhe legjendës kamerunase Roxher Milla.
Golat ndaj Uzbekistanit i mundësuan gjithashtu të arrijë në kuotën e 9 realizimeve me Portugalinë në Kampionatet Botërore, duke barazuar rekordin historik të Eusebios si golashënuesi më i mirë i kombëtares portugeze në këtë kompeticion.
Në planin personal, Ronaldo vazhdon të afrohet drejt një tjetër objektivi madhor. Falë dy golave të shënuar, numri total i realizimeve në karrierën e tij profesionale ka shkuar në 975, duke e afruar gjithnjë e më shumë me shifrën simbolike prej 1000 golash.
Ndërkohë, paraqitja si titullar ndaj Uzbekistanit shënoi ndeshjen e tij të 24-t në një Kampionat Botëror. Në renditjen historike të futbollistëve me më shumë ndeshje në këtë turne, para tij mbeten vetëm Lotar Mateus me 25 paraqitje dhe Lionel Mesi me 28.
Ronaldo vijon kështu të sfidojë kufijtë e moshës dhe statistikat, duke lënë gjurmë të reja në historinë e futbollit botëror.
Lini një Përgjigje