TAGS-AT E JAVËS

Sport25 Qershor 2026, 19:30

Nga polemikat jashtë fushe te rekordet, çfarë po ndodh me Kampionatin Botëror deri më tani

Shkruar nga Pamfleti
Nga polemikat jashtë fushe te rekordet, çfarë po ndodh me
Kupa e Botës

Një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale duket se tregon mbrojtësin anglez Djed Spens duke mos ia shtrënguar dorën mesfushorit ganez Tomas Parti para ndeshjes së zhvilluar në Boston.

Parti u prit me vërshëllima nga tifozët anglezë në debutimin e tij në Botëror. Ai mungoi në takimin e parë të kombëtares së tij, pasi nuk u lejua të hynte në Kanada. Futbollisti ka deklaruar pafajësinë për shtatë akuza për përdhunim dhe një akuzë për sulm seksual, të lidhura me denoncime të katër grave për ngjarje të viteve 2020–2022. Gjyqi ndaj tij pritet të zhvillohet vitin e ardhshëm. Në ndeshjen e Bostonit, ai u vërshëllye sa herë prekte topin.

Mesi dhe Mbape kryesojnë garën për “Këpucën e Artë”

Sipas kompanive të basteve, Lionel Mesi konsiderohet favoriti për të përfunduar golashënuesi më i mirë i Botërorit, me koeficient 2.75. Pas tij renditet Kilian Mbape me 3.00, ndërsa Erling Haland kuotohet me 7.00. Herri Kejn ka kuotën 9.00, ndërsa Kristiano Ronaldo 25.00.

PSG, skuadra me më shumë golashënues

PSG-ja është klubi me më shumë futbollistë që kanë gjetur rrugën e rrjetës në këtë Botëror. Barkola, Mbaje, Zoao Neves, Dembele dhe Nuno Mendes kanë shënuar për kombëtaret e tyre gjatë turneut.

Shvajnshtajger në qendër të kritikave

Ish-kampioni i botës, Bastian Shvajnshtajger është kritikuar në Gjermani për një koment të bërë para ndeshjes Gjermani–Bregu i Fildishtë.

Duke folur si analist në televizionin publik ARD, ai e përshkroi stilin e lojës së kundërshtarit si "futboll afrikan, ndonjëherë jo shumë ortodoks, pak i egër dhe jo fort taktik". Përdorimi i shprehjes "i egër" u konsiderua nga shumë komentues si i papërshtatshëm për shkak të konotacioneve raciste dhe kolonialiste. Shvajnshtajger nuk kërkoi falje dhe nuk u sanksionua nga transmetuesi.

Tom Bredi: “A është ky Botërori më i bukur ndonjëherë?”

Legjenda e futbollit amerikan Tom Bredi, bashkëpronar i Birmingam Sitit, ndoqi nga stadiumi ndeshjen e Brazilit së bashku me vajzën e tij Vivian. Më pas ai publikoi në rrjetet sociale një pyetje për tifozët: nëse Botërori i Amerikës së Veriut është më spektakolari i të gjitha kohërave.

FIFA shqyrton ndryshime për penalltitë

FIFA po analizon mundësinë e ndryshimit të procedurës së serive të penalltive para fillimit të fazës me eliminim direkt.

Propozimi parashikon vetëm një hedhje monedhe, ku skuadra fituese do të zgjedhë nëse dëshiron të godasë e para ose nëse preferon portën pranë tifozëve të saj, duke zëvendësuar sistemin aktual me dy hedhje.

Belingam vendos rekord

Xhud Belingam është bërë lojtari më i ri në historinë e Anglisë që arrin 50 ndeshje me kombëtaren. Mesfushori i Realit të Madridit e arriti këtë rekord në moshën 22 vjeç e 359 ditë, duke kaluar rekordin e mëparshëm të Uejn Runit.

Orangutani që “parashikon” rezultatet

Pas famës së oktapodit Paul në Botërorin 2010, kopshti zoologjik i Dortmundit ka prezantuar "Walter", një orangutang që parashikon rezultatet e ndeshjeve të Gjermanisë. Për sfidën ndaj Ekuadorit, ai ka zgjedhur ekipin amerikano-jugor si fitues.

Protesta e tifozit norvegjez

Ndërsa tifozët norvegjezë festonin kualifikimin duke imituar lëvizjen e vozitjes së vikingëve, një tifoz refuzoi të merrte pjesë në ritual.

Ai argumentoi se ceremonia nuk është historikisht e saktë, pasi vikingët përdornin kryesisht vela dhe jo remat, duke premtuar se do të vazhdojë protestën e tij gjatë gjithë turneut.

Mbi 300 dronë të sekuestruar

Autoritetet amerikane kanë konfiskuar më shumë se 300 dronë pranë stadiumeve të Botërorit. Në shumicën e rasteve bëhej fjalë për tifozë që synonin të realizonin pamje për rrjetet sociale, por përfunduan me pajisjet e sekuestruara dhe me rrezikun e gjobave të konsiderueshme.

Kebab falas nëse shënon Undav

Një lokal në Shtutgart ka premtuar kebab falas për të gjithë klientët që ndodhen aty gjatë ndeshjeve të Gjermanisë, nëse sulmuesi Deniz Undav shënon gol.

Pronari i restorantit tha se futbollisti është klient i rregullt dhe njihet për preferencën e tij ndaj ushqimeve shumë pikante.

“Efekti Jamal”

Pas golit të tij të parë në Kupën e Botës, Lamin Jamal ka shkaktuar një rritje të jashtëzakonshme të interesit në internet.

Sipas të dhënave të JD Sports, kërkimet në Google për fanellën e tij janë rritur me 448% në Spanjë vetëm 24 orë pas ndeshjes me Arabinë Saudite.

Kanobio rrëfen përplasjen me Bielsën

Uruguaiani Agustin Kanobio ka zbuluar se mbeti jashtë kombëtares për dy vite pas një debati të fortë me trajnerin Marselo Bielsa.

Futbollisti tha se vendosi t'i shprehte hapur pakënaqësinë trajnerit, edhe pse ishte i vetëdijshëm për pasojat që mund të kishte ky veprim në karrierën e tij ndërkombëtare.

Qyteti i Meksikës kufizon shitjen e alkoolit

Autoritetet e Qytetit të Meksikës kanë ndaluar përkohësisht shitjen e pijeve alkoolike në disa zona të kryeqytetit gjatë ditës së ndeshjes mes Meksikës dhe Republikës Çeke.

Masa synon të forcojë sigurinë publike dhe të parandalojë incidentet gjatë zhvillimit të takimit.

kupa e botës rekordet tensionet

Lini një Përgjigje