
Lando Norris me MekLaren siguroi “pole position” në pistën qytetase të Montekarlo, i vlefshëm për garën e ‘mimit të Madh të Monako në Formula 1. Piloti britanik vendosi kohën rekord 1’09”954.
Ai do ta ndajë vijën e parë të startit me pilotin vendës Sharls Lëklerk, që u rendit i dyti me Ferrari në pistën e shtëpisë. Një paraqitje e mirë e “kokëkuqes”, por që s’mjaftoi për të siguruar “pole”.
Në vendin e tretë u rendit makina tjetër MekLaren, ajo e kryesuesit të botërorit, australianit Oskar Piastri. Në krah të tij do të jetë makina tjetër Ferrari, ajo e Luis Hamilton. Në vendin e pestë u rendit Maks Vershtapen me Red Bull.
Provat e sotme u vendosën nga një xhiro e jashtëzakonshme e Norris. Mbeti disi i zhgënjyer Leklerk, që pasi kishte dominuar në tri sesionet e lira u detyrua të kënaqej me vendin e dytë. Gjithsesi, strategjia me 2 ndalesa pritet ta bëjë interesante garën.
Zhgënjyen dy makinat Mercedes, në vendet 14-15 me Xhorxh Rasëll (pati problem teknik) dhe Kimi Antoneli (u përplas). Në “top-10” edhe Isak Hadjar, Fernando Alonso, Esteban Okon, Liam Lauson dhe Aleksandër Albon.
Lini një Përgjigje