TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Shkurt 2026, 18:41

Propozimi që mund të ndryshojë penalltitë në futboll, Kolina kritikon sistemin aktual: Futbollistët duken si kuaj

Shkruar nga Pamfleti

Propozimi që mund të ndryshojë penalltitë në futboll,

Ish-gjyqtari i njohur i FIFA-s sugjeron rregullin “një goditje”, duke e konsideruar disproporcionale avantazhin e sulmuesit ndaj portierit

Ndryshimet në rregullat e futbollit kanë qenë të shpeshta vitet e fundit, ndërsa një propozim i ri ka ngjallur debat në opinionin sportiv. Ish-gjyqtari i njohur italian, Pierluixhi Kolina, aktualisht president i Komitetit të Arbitrave në FIFA, ka sugjeruar ndryshimin e mënyrës së ekzekutimit të penalltive gjatë kohës së rregullt të lojës.

Sipas Kolinës, sistemi aktual krijon një pabarazi të theksuar mes lojtarit që gjuan penalltinë dhe portierit. Ai thekson se, mesatarisht, rreth 75 për qind e penalltive përfundojnë me gol, ndërsa edhe në rastet kur portieri e pret topin, ekziston mundësia që sulmuesi ose një tjetër lojtar të përfitojë nga topi i kthyer.

Unë mendoj se ekziston një pabarazi e tepruar mes mundësive të atij që ekzekuton penalltinë dhe portierit”, është shprehur Kolina, duke shtuar se kjo situatë kërkon rishikim.

Si zgjidhje, ai ka propozuar aplikimin e rregullit “një goditje”, të ngjashëm me atë që përdoret në seritë e penalltive pas kohës shtesë. Sipas këtij propozimi, pas ekzekutimit të penalltisë nuk do të ketë më top të kthyer në lojë: ose shënohet gol, ose loja rifillon me rivënie fundore për ekipin mbrojtës.

Kolina vlerëson se ky ndryshim do të ndikonte edhe në disiplinimin e lojtarëve përpara ekzekutimit të penalltisë. Ai kritikon grumbullimin e futbollistëve rreth zonës, duke e krahasuar këtë skenë me “kuajt në vijën e nisjes përpara një gare”.

Propozimi i ish-gjyqtarit pritet të diskutohet në qarqet drejtuese të futbollit, megjithëse për momentin nuk ka sinjale zyrtare nëse FIFA do ta marrë në konsideratë për ndryshime konkrete në rregullore.

pierluixhi kolina ish-arbitri i fifa-s

Lini një Përgjigje