TAGS-AT E JAVËS

Sport 5 Shkurt 2026, 18:20

Ademi rizgjidhet president i FFK-së, Duka vlerëson rritjen e futbollit kosovar: Vijon të shënojë progres të qendrueshëm!

Shkruar nga Pamfleti

Ademi rizgjidhet president i FFK-së, Duka vlerëson rritjen e futbollit

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) mbajti këtë të enjte Kuvendin e saj Zgjedhor, ku u zgjodhën organet e reja drejtuese të institucionit. Në postin e presidentit u rizgjodh Agim Ademi, i cili mori besimin për një tjetër mandat në krye të Federatës. Po ashtu, Kuvendi votoi edhe për dhjetë anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së.

Në këtë ngjarje të rëndësishme për futbollin kosovar ishte i pranishëm edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka. Gjatë fjalës së tij para delegatëve të Kuvendit, Duka vlerësoi progresin dhe zhvillimin e futbollit në Kosovë në vitet e fundit.

Ai theksoi veçanërisht arritjet e përfaqësueses A të Kosovës, e cila në një periudhë relativisht të shkurtër ka shënuar rezultate të rëndësishme në arenën ndërkombëtare. Sipas Dukës, fakti që kombëtarja e Kosovës do të luajë në muajin mars ndeshjet “play-off”, me synimin për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, është dëshmi e qartë e këtij progresi.

Po ashtu, presidenti i FSHF-së vlerësoi edhe sukseset e klubeve kosovare në garat evropiane, duke përmendur kualifikimin e skuadrës së Dritës në fazën “play-off” të Ligës së Konferencës, si një tjetër tregues të rritjes së nivelit të futbollit në Kosovë.

Më poshtë, fjala e plotë e Presidentit Armand Duka e mbajtur në Kuvendin Zgjedhor të FFK:

“I nderuar President Agim Ademi

Të nderuar anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së,

Të nderuar përfaqësues të FIFA-s, Rolf Tanner dhe Marco Ferri

I nderuar Denis, Drejtor i Zhvillimit të Federatave në UEFA

I nderuar përfaqësues të Ministrisë së Sportit, z.Fidan

Të nderuar delegatë,

Është një nder dhe kënaqësi e veçantë për mua të jem sot mes jush në punimet e Asamblesë së Zakonshme të FFK.

Së pari, më lejoni që t’ju përcjell përshëndetjet më të mira të Presidentit të UEFA-s, z. Aleksander Čeferin, Sekretarit të Përgjithshëm të UEFA-s, z. Theodore Theodoridis, dhe të kolegëve të mi nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s.

Marrëdhënia ndërmjet UEFA-s dhe Federatës së Futbollit të Kosovës ka vijuar të zhvillohet në mënyrë konstruktive dhe të ndërsjellë. FFK ka dëshmuar përkushtim të vazhdueshëm ndaj forcimit institucional dhe zhvillimit afatgjatë të futbollit, progres i cili njihet dhe vlerësohet nga UEFA.Gjatë viteve të fundit, bashkëpunimi ynë është përqendruar në disa fusha kyçe strategjike, përfshirë qeverisjen, zhvillimin e infrastrukturës, futbollin e të rinjve dhe qëndrueshmërinë e institucionit. Në këtë drejtim, dëshiroj të theksoj përdorimin efektiv të fondeve të programit HatTrick të UEFA-s, veçanërisht për ndërtimin e fushave të reja me bar artificial dhe objekteve stërvitore. Këto investime kanë një rol të rëndësishëm në zgjerimin e qasjes së futbollit, përmirësimin e kushteve të stërvitjes dhe forcimin e futbollit të bazës në të gjithë Kosovën.

Në aspektin sportiv, futbolli i Kosovës vazhdon të shënojë përparim të qëndrueshëm. Paraqitja e përfaqësueses A në ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026 dhe pjesëmarrja e saj në play-off-in e marsit, për të qenë pjesë e finaleve, dëshmojnë qartë zhvillimin dhe ambicien e lartë. Uroj që Kosova të ketë suksese në dy ndeshjet e ardhshme në play-off-it.

Në nivel klubesh, arritjet janë të mëdha. Drita jo vetëm që është kualifikuar në grupet e UEFA Europa Conference League, por edhe i ka kaluar ato dhe sot është në fazën play-off.

Po ashtu, progresi i përfaqësueseve të moshave të reja është evident. Kombëtarja U-21 ka bërë një performancë pozitive në ndeshjet kualifikuese dhe ka shumë shanse që të jetë pjesë e finaleve të EURO U-21 2027. Uroj që të jetë pjesë e këtij eventi madhor në Tiranë. Ky zhvillim pasqyron rëndësinë që i është kushtuar futbollit të të rinjve dhe tregon se investimet e bëra sot po japin rezultate konkrete për të ardhmen.

Në këtë kontekst, më lejoni t’u shpreh urimet tona më të mira për përfaqësueset kombëtare dhe klubet tuaja në garat aktuale dhe ato që do të vijnë. I urojmë lojtarëve, trajnerëve dhe zyrtarëve tuaj çdo sukses në vazhdimin e rrugëtimit të tyre sportiv.

Të marra së bashku, këto zhvillime dëshmojnë se futbolli në Kosovë po ecën përpara në mënyrë të strukturuar dhe të qëndrueshme, nga infrastruktura, te futbolli i bazës, te zhvillimi i të rinjve, garat e klubeve dhe ekipet kombëtare.

Nuk dua t’ju marr më shumë kohë sot, pasi keni përpara çështje të rëndësishme për të trajtuar sot në Asamble. Do të trajtoni çështjet vjetore të bilanceve apo buxheteve, keni për të bërë edhe zgjedhjen e Presidentit tuaj dhe konfirmimin e komitetit ekzekutiv te zgjedhur nga shoqatat rajonale.

Proceset zgjedhore janë gjithmonë momente themelore e të rëndesishme për çdo federatë, sepse rikonfirmojnë  legjitimitetin, unitetin dhe përgjegjësinë e institucioneve të futbollit.

Edhe pse sot ju keni një kandidat të vetëm, fakti që Asambleja zhvillohet në përputhje me statutin, rregullat dhe procedurat demokratike është një tregues i rëndësishëm i stabilitetit institucional të FFK-së.

Ju uroj një Asamble Zgjedhore të suksesshme dhe të zhvilloni punimet, siç e uroi edhe Presidenti Ademi, ‘fair play’.

Ju faleminderit shumë për mikpritjen tuaj të ngrohtë, si gjithmonë, në shtëpinë time në Prishtinë. Punime të mbara.”

armand duka presidenti i fshf agim ademi ffk

Lini një Përgjigje