
Që prej së hënës, Brajan Gruda është zyrtarisht lojtar i Lajpcigut, të paktën deri në muajin maj. Sulmuesi shqiptar që luan me kombëtaren U-21 të Gjermanisë shpreson që përmes paraqitjeve me skuadrën e Bundesligës të arrijë edhe një ftesë për Kupën e Botës që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Që në fillim, Gruda ka tërhequr vëmendje jo vetëm me transferimin, por edhe me mënyrën se si mbërriti te Lajpcigu. Së bashku me një mik, ai përshkoi rreth 1.050 kilometra nga Brajtoni, në jug të Anglisë, drejt Lajpcigut me makinë.
“Gjithçka ndodhi pak shpejt. Do të jem këtu vetëm gjashtë muaj dhe më duheshin disa gjëra personale, ndaj ia vlente ta mbushja makinën”, shpjegoi ai gjatë një takimi me mediat, duke shtuar se udhëtimi ishte i gjatë, por i qetë.
Sulmuesi 21-vjeçar ndodhet tashmë në Lajpcig, ku synon të rikthehet në nivelin që e bëri një nga zbulimet e sezonit 2023-2024 me Maincin dhe që e vendosi në radarin e Premier Ligës. Te Brajtoni, megjithëse regjistroi 18 paraqitje në kampionat këtë sezon, vetëm tetë prej tyre i nisi si titullar, duke mos arritur të sigurojë një rol të qëndrueshëm.
Me Lajpcigun, Gruda synon më shumë minuta. “Kam qenë gjithmonë në kontakt me Lajpcigun. Klubi dhe stili i lojës më përshtaten”, tha ai. Gruda e sheh veten në sistemin 4-3-3 si një “mesfushor i djathtë”, por thekson se mund të luajë edhe në qendër apo në krah. “Gjëja kryesore është të ndihmoj ekipin dhe të rikthej vetëbesimin. Objektivi im është të kontribuoj për Europën dhe për veten time të fitoj kohë loje.”
Edhe pse në Angli nuk arriti të jetë titullar i rregullt, Gruda vlerëson përvojën jashtë vendit. “Në aspektin personal më ka ndihmuar shumë. Të jetoja vetëm ishte diçka e re për mua”, tha ai, duke shtuar se edhe gjuha angleze, e cila në fillim nuk ishte e fortë, tani është përmirësuar ndjeshëm. Për ata që mendojnë se do të ishte më mirë të kishte qendruar te Mainc në verën e vitit 2024, Gruda përgjigjet prerë: “Ishte vendimi im, e çova deri në fund dhe nuk pendohem për asgjë.”
Tani, nën drejtimin e trajnerit Ole Verner, ai synon të fitojë një vend titullari dhe të pasurojë lojën e Lajpcigun me stilin e tij jo ortodoks dhe aftësitë në duelet një kundër një. E ardhmja e tij pas përfundimit të huazimit, i cili kushton rreth një milion euro, mbetet e hapur. “Fillimisht dua të ambientohem, të stërvitem dhe të njoh gjithçka”, tha numri i ri 10 i Lajpcigut.
Në plan të parë, Gruda dëshiron që të flasë në fushë. Ndërkohë, edhe Kupa e Botës nuk është larg mendjes së tij. “Do të gënjeja po të thosha se nuk e kam si objektiv”, pranoi ai. Në maj 2024, Gruda ishte pjesë e listës së zgjeruar të trajnerit Julian Nagelsman para Kampionatit Evropian dhe shpreson që kjo të mos ketë qenë përvoja e fundit me përfaqësuesen.
Për momentin, fokusi është Bundesliga. Lajpcigu përballet të dielën me Këlnin dhe Gruda ndihet gati. “Mendoj se jam 100 për qind i përgatitur. Ndihem shumë mirë, por vendimin e merr trajneri”, përfundoi ai.
Lini një Përgjigje