TAGS-AT E JAVËS

Sport27 Qershor 2026, 18:48

Rasëll siguron "pole position" në Austri dhe lë pas dy makinat Ferrari, Vershtapen humb kontrollin dhe përplaset (Video)

Shkruar nga Pamfleti
Rasëll siguron "pole position" në Austri dhe lë pas dy
Formula 1

Xhorxh Rasëll do ta nisë nga vendi i parë Çmimin e Madh të Austrisë në Formula 1, pasi regjistroi kohën më të shpejtë në sesionin kualifikues të zhvilluar të shtunën në pistën "Red Bull Ring".

Piloti britanik i Mercedes ndaloi kronometrin në 1:06.113, një xhiro që fillimisht u vu nën hetim, pasi u regjistrua në momentet kur në pistë ishin shfaqur flamujt e verdhë. Megjithatë, drejtuesit e garës e konfirmuan rezultatin, duke i dhënë Rasëll "pole position"-in për garën e së dielës.

Shkak për flamujt e verdhë u bë aksidenti i kampionit në fuqi, Maks Vershtapen. Piloti i Red Bull humbi kontrollin e makinës në kthesën e parafundit teksa po tentonte të përmirësonte kohën e tij, duke u përplasur dhe mbyllur përpjekjen për një vend në rreshtin e parë. Si pasojë, holandezi do ta nisë garën nga vendi i pestë.


Ferrari u rikthye në nivele konkurruese pas një dite të vështirë në provat e lira. Sharls Lëklerk siguroi vendin e dytë, ndërsa shoku i tij i skuadrës, Luis Hemilton, u rendit i treti, duke i dhënë ekipit italian një pozicion shumë të favorshëm në nisje.

Në vendin e katërt u klasifikua italiani Kimi Antoneli me Mercedes, duke kompletuar një paraqitje të fortë të skuadrës gjermane. Pas Vershtapenit u renditën dy makinat MekLaren, me Lando Norris përpara Oskar Piastrit. Dhjetëshen më të mirë e plotësuan Isak Hadjar, Liam Lauson dhe Arvid Lindblad.

Pista e shkurtër e "Red Bull Ring" prodhoi diferenca minimale mes pilotëve, çka premton një garë të ekuilibruar dhe me shumë parakalime. Një rol të rëndësishëm pritet të luajnë temperaturat e larta të parashikuara për të dielën, të cilat mund të ndikojnë ndjeshëm në konsumimin e gomave dhe strategjitë e skuadrave.

 

xhorxh rasëll piloti britanik pmimi i madh i austrisë maks vershtapen

Lini një Përgjigje