
Përfundojnë 3 ndeshjet e orës 21:00 në Champions League. Reali i Madridit ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve, pas fitores bindëse 3-0 ndaj Mançester Sitit në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Protagonisti kryesor i sfidës ishte Federiko Valverde, i cili realizoi një tregolësh në pjesën e parë.
Goli i parë erdhi në minutën e 20-të. Pas një topi të gjatë të nisur nga portieri Tibo Kurtua, Valverde shmangu Niko O’Rilli, kaloi edhe portierin Xhixho Donaruma dhe dërgoi topin në rrjetë.
Vetëm shtatë minuta më vonë, uruguaiani shënoi edhe golin e dytë, pas një asistit nga Vinicius Zhunior, duke dyfishuar epërsinë e madrilenëve.
Valverde kompletoi tregolëshin e tij në minutën e 42-të, pasi përfitoi nga një asist i Brahim Diaz dhe një veprim i bukur brenda zonës. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 3-0 në favor të Realit.
Në minutën e 58-të, Vinicius Zhunior fitoi një penallti pas një ndërhyrjeje të Donarumës në zonë, por braziliani nuk arriti ta shndërronte në gol, pasi goditja e tij u prit nga portieri italian.
Me këtë rezultat, Reali i Madridit siguron një avantazh të konsiderueshëm për ndeshjen e kthimit, e cila do të luhet pas një jave në stadiumin “Etihad”.
Ndërkohë, PSG-ja ka marrë një fitore të rëndësishme 5-2 ndaj Çelsit në ndeshjen e parë të fazës së 1/16-ave të kompeticionit.
Në “Parc des Princes”, vendasit kaluan të parët në avantazh në minutën e 10-të me Bredli Barkola. Çelsi reagoi dhe barazoi në minutën e 28-të me Malo Gusto.
Baraspesha zgjati vetëm 12 minuta, pasi Osmane Dembele riktheu avantazhin për PSG-në në minutën e 40-të, duke mbyllur pjesën e parë me rezultatin 2-1 për kampionët në fuqi të Evropës.
Në fillim të pjesës së dytë, Çelsi barazoi sërish shifrat në 2-2 me Enzo Fernandez. Megjithatë, PSG reagoi shpejt dhe kaloi përsëri në avantazh falë golit të Vitinjën.
Në minutat e fundit, Kviça Kvaratskhelia realizoi dy gola të tjerë, duke vulosur fitoren 5-2 për skuadrën e drejtuar nga Luis Enrike.
Ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në “Stamford Bridge”, ku Çelsi do të kërkojë një përmbysje të vështirë, ndërsa PSG afrohet një hap më pranë çerekfinaleve.
Në ndeshjen tjetër, Bodo/Glimt mposhti 2-0 Sportingun e Lisbonës. Norvegjezët gjetën fillimisht avantazhin pas golit të Sondre Fet nga pika e bardhë e penalltisë në minutën e 32-të, pas një faulli brenda në zonë nga portugezët. Në minutat shtesë, Ole Blomberg dyfishoi shifrat për Bodo/Glimt.
Në minutën e 71, norvegjezët gjetën edhe golin e tretë me Kasper Hog.
Takimi i kthimit që do të luhet javën e ardhshme do të vendos edhe skuadrën që do të kualifikohet në 1/8-at, por duke marrë parasysh rezultatin e sotëm, Bodo/Glimt është me një këmbë në raundin tjetër.
Lini një Përgjigje