
Drita u mund 3-2 në transfertë ndaj Celjes në Slloveni, duke përsëritur rezultatin e ndeshjes së parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”. Me këtë rezultat, skuadra kosovare eliminohet me rezultat të përgjithshëm 6-4.
Për “Intelektualët”, golat u realizuan nga Blerim Krasniqi në pjesën e parë dhe Albert Dabiqaj në fraksionin e dytë të lojës. Megjithatë, përpjekjet e tyre nuk mjaftuan për të përmbysur disavantazhin ndaj skuadrës sllovene.
Edhe Shkëndija u përball me eliminim, pasi u mposht 4-0 në ndeshjen e kthimit nga Samsunspor. Skuadra turke kishte fituar minimalisht 0-1 në takimin e parë në Shkup, duke siguruar kështu kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 5-0.
Në përballjet e tjera, Rijeka triumfoi 3-1 ndaj Omonias dhe siguroi kualifikimin me rezultat të përgjithshëm 4-1 pas dy ndeshjeve.
Ndërkohë, surpriza e mbrëmjes po regjistrohet në stadiumin “Artemio Franchi”, ku Fiorentina është në disavantazh 0-3 ndaj Jagiellonias së Polonisë. Italianët kishin fituar me të njëjtin rezultat në ndeshjen e parë dhe, nëse takimi përfundon me këtë rezultat, sfida do t’i drejtohet kohës shtesë. Në momentin e raportimit, po luhen minutat e fundit të ndeshjes.
Lini një Përgjigje