
Enzo Mareska është përmendur si një kandidat surprizë për të pasuar Pep Guardiolën në stolin e Mançester Sitit, në rast se trajneri legjendar do të largohej nga klubi.
Trajneri aktual i Çelsit ndodhet lart në listën e drejtuesve të “Cityzens” si një nga opsionet kryesore për zëvendësim, edhe pse Guardiola ka kontratë deri në verën e vitit 2027 dhe më herët ka lënë të kuptohet se mund të marrë një pushim nga futbolli pas përfundimit të aventurës së tij me Sitin.
Megjithatë, pavarësisht pritshmërive që Guardiola të respektojë kontratën e tij, Mançester Siti po përgatit plane alternative në rast se ai vendos të largohet më herët. Burime nga Spanja bëjnë të ditur se po rriten gjasat që Guardiola të largohet që këtë verë, pa e çuar deri në fund marrëveshjen aktuale.
Mareska ka një histori të mëparshme me Mançester Sitin. Ai iu bashkua stafit zhvillimor të klubit në vitin 2020, pas një eksperience tek Uest Hemi. Më pas, italiani u largua për një periudhë të shkurtër si trajner i Parmës në Serinë B, për t’u rikthyer në “Etihad” në vitin 2022 si ndihmës i Guardiolës.
Në verën e vitit 2024, Mareska u emërua trajner i Çelsit, pasi kishte udhëhequr Leister Sitin drejt kreut të Championship-it. Në sezonin e tij të parë me londinezët, “Blutë” u renditën në vendin e katërt në Premier Ligë, duke fituar gjithashtu Ligën e Konferencës dhe Kupën e Botës për Klube.
Edhe këtë sezon, Mareska po vazhdon me rezultate pozitive, me Çelsin që pas 16 ndeshjesh renditet në vendin e katërt në kampionat. Kontrata e tij aktuale me klubin londinez është e vlefshme deri në vitin 2029, me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër.
Megjithatë, trajneri italian ka ngritur pikëpyetje mbi të ardhmen e tij në “Stamford Bridge”, pasi pas fitores 2-0 ndaj Evertonit në fundjavë, bëri disa deklarata enigmatike për “mungesë mbështetjeje”.
“48 orët e fundit kanë qenë më të këqijat që nga momenti kur iu bashkova klubit, sepse shumë njerëz nuk na mbështetën,” u shpreh Mareska. “Kanë qenë 48 orët më të këqija sepse njerëzit nuk më mbështetën mua dhe ekipin.”
Ai nuk sqaroi se për kë e kishte fjalën, por shtoi: “Në përgjithësi. I dua tifozët dhe jemi shumë të lumtur me mbështetjen e tyre.”
Lini një Përgjigje