Sport19 Gusht 2023, 23:05

Tuluza shtang PSG në fund, kampionët e Francës “abonohen” me barazimet, Mançester Siti fiton “duelin e sheikëve” me Njukasëllin

Shkruar nga Pamfleti

Tuluza shtang PSG në fund, kampionët e Francës

PSG-ja e Luis Enrikes ka marrë një tjetër barazim në kampionatin francez, pas atij pa gola të regjistruar në javën e parë kundër Lorientit.

Në javën e dytë, kampionët në fuqi të Francës barazuan 1-1 në transfertë me Tuluzën.

Një rezultat befasues ky për parisienët, që dukej se i kishin siguruar tri pikët falë penalltisë së fituar dhe të realizuar nga Mbape në minutën e 62, 11 minuta pas futjes së tij në fushë.

Megjithatë, kur kishin mbetur edhe pesë minuta nga fundi i kohës së rregullt, Hakimi shkaktoi një faull në zonën e rreptësisë dhe arbitri akordoi penallti për vendasit.

Te pika e bardhë u paraqit Abouklal, i cili nuk gaboi dhe fiksoi shifrat përfundimtare në 1-1.

Mançester Siti i është bashkuar Brajtonit në kreun e renditjes së kampionatit anglez me pikë të plota pas dy ndeshjesh, pasi ka mundur me shifrat 1-0 Njukasëllin, në atë që shumëkush e cilësoi si “dueli i sheikëve”, pasi të dy klubet kanë pronarët nga Lindja e Mesme.

Në një ndeshje ku Guardiola luajti për 90 minuta me të njëjtin formacion, pa bërë zëvendësime, diferencën e bëri një gol i vetëm i shënuar në pjesën e parë nga Julian Alvarez. Sulmuesi argjentinas mori një pasim të saktë nga Foden dhe lëshoi një gjuajtje të pakapshme për Pup, duke thyer barazinë në shifra në minutën e 31-.

“Qytetarët” ishin ata që krijuan më shumë lojë e raste, por nuk ia dolën të shënonin më në këtë ndeshje. Gjithsesi, rezultati 1-0 i mjaftoi për të ruajtur startin perfekt të kampionatit dhe për të treguar se vazhdojnë të jenë ata skuadra për t’u mundur edhe në këtë sezon.

psg tuluzë mançester siti njukasëll