Federata Turke e Futbollit i është drejtuar FIFA-s me një kërkesë zyrtare për përsëritjen e ndeshjes kundër Paraguajit, por organizmi më i lartë i futbollit botëror e ka refuzuar menjëherë këtë kërkesë.
Sipas mediave turke, ankesa lidhet me një episod të ndodhur në minutën e 45-të të takimit. Gjatë një momenti tensioni mes lojtarëve të të dyja skuadrave, një futbollist i Paraguajt mori orën e arbitrit, e cila kishte rënë në fushë, dhe e vendosi në dorë.
Federata Turke u mbështet në rregulloret e FIFA-s, duke argumentuar se veprime të tilla mund të konsiderohen si cenim i autoritetit të arbitrit dhe si pengesë për zhvillimin normal të ndeshjes, çka sipas tyre mund të justifikonte përsëritjen e saj.
Presidenti i Federatës Turke të Futbollit, Ibrahim Haxhiosmanollu, deklaroi se institucioni do të kërkonte të gjitha rrugët për të mbrojtur interesat e ekipit kombëtar.
“Edhe nëse ka vetëm 1% mundësi, ta zgjidhim këtë çështje pa zhurmë. Të kërkojmë të drejtën tonë”, u shpreh Haxhiosmanollu.
Megjithatë, FIFA hodhi poshtë pretendimet e palës turke, duke vlerësuar se incidenti nuk ka ndikuar në aftësinë e arbitrit për të ushtruar funksionin e tij.
“Udhëzimet janë të qarta. Vlerësimet dhe konstatimet tuaja kanë një bazë të arsyeshme, por ato nuk mbështesin tezën se arbitri nuk ka mundur të kryejë detyrën e tij ose se ka pasur një mangësi në ushtrimin e funksionit. Duke qenë se arbitri kishte një orë të dytë, ky veprim nuk krijon një mangësi të tillë. Prania e orës së dytë e eliminon këtë problem”, thuhet në përgjigjen e FIFA-s.
Me këtë vendim, FIFA e konsideron çështjen të mbyllur dhe ndeshja nuk do të përsëritet.
Lini një Përgjigje