Sulmuesi i Bajer Leverkusenit, Patrik Shik, ka njoftuar tërheqjen nga Kombëtarja e Çekisë, vetëm një ditë pasi përfaqësuesja çeke u eliminua nga Kupa e Botës 2026 që në fazën e grupeve. Vendimin e bëri publik vetë Shik përmes një postimi në rrjetet sociale, duke theksuar se nuk ishte marrë në mënyrë të nxituar.
“Ky vendim nuk është impulsiv dhe nuk është marrë brenda natës. Është një mendim që e kam pasur prej kohësh dhe e kam analizuar me kujdes”, shkroi 30-vjeçari në Instagram.
Shik e mbyll karrierën ndërkombëtare me 56 paraqitje dhe 26 gola me fanellën e Çekisë. Një nga momentet më të spikatura të karrierës së tij ishte “EURO 2020”, ku u shpall golashënuesi më i mirë i turneut së bashku me Kristiano Ronaldon, me nga pesë gola, ndërsa fitoi edhe çmimin për golin më të bukur falë realizimit spektakolar nga distanca ndaj Skocisë.
Në Botërorin 2026, sulmuesi nuk arriti të gjente rrugën e rrjetës në tre ndeshjet e fazës së grupeve. Në sfidën e fundit ai u aktivizua si zëvendësues në pjesën e dytë, ndërsa Çekia e mbylli Grupin A në vendin e fundit me vetëm një pikë.
“Po largohem krenar për gjithçka që kam arritur me fanellën e kombëtares”, u shpreh Shik, duke shtuar se beson se futbolli çek ka potencial për të arritur suksese më të mëdha në të ardhmen.
Lini një Përgjigje