TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Qershor 2023, 19:42

U largua pas 18-vitesh nga Lacio, sa trofe ka fituar Igli Tare si drejtor sportiv i bardhekaltërve në 5452 ditë

Shkruar nga Pamfleti

U largua pas 18-vitesh nga Lacio, sa trofe ka fituar Igli Tare si drejtor

Igli Tare i ka dhënë lamtumirën Lacios pas 18-vitesh pjesë e klubit. Disa si futbollist, por shumica si një drejtues, i cili falë punës së tij u cilësua si “magjistari” i merkatos në futbollin italian për nuhatjen e tij për goditje të bujshme me kosto të ulët. Një nuhatje, e cila i solli Lacios futbollistë të afirmuar, e falë tyre edhe trofe e rezultate të rëndësishme.

“Corriere Dello Sport” ka evidentuar në një artikull për drejtuesin shqiptar se janë në total 5452 ditë të tij si drejtues i Lacios, një periudhë e jashtëzakonshme për Taren, i cili mori vlerësim pas vlerësimi në elitën e futbollit italian.

Dhe në këtë periudhë, që nga viti 2008, kur ai u ul pas tavolinës së drejtuesit, Lacio ia ka dalë të fitojë 6 trofe. Në vitet 2009, 2013 dhe 2019, është fituar Kupa e Italisë. Ndërsa në vitet 2009, 2017 dhe 2019, është fituar Superkupa e Italisë.

Përveç kësaj, Lacio ia ka dalë të kualifikohet dy herë në Ligën e Kampioneve, në vitet 2020 dhe 2023. Ndërsa duke kryer edhe detyrën e mbikëqyrësit të akademisë, të rinjtë e Lacios kanë fituar një titull kampion në vitin 2013, një Superkupë në vitin 2015 dhe dy Kupa Italie në vitet 2014 dhe 2015. Aspak keq për dikë që e ndërtoi gjithçka nga zero në nivelin më të lartë të futbollit europian.

igli tare ish-drejtori sportiv i lacios

Lini një Përgjigje