
Një incident i pazakontë është regjistruar në futbollin italian, ku tifozët kanë reaguar ashpër ndaj vendimeve të arbitrimit, duke nxjerrë me forcë nga tribuna një prej figurave kryesore të gjyqtarëve në Itali, dizenjatorin Xhanluka Roki.
Ngjarja ndodhi në përfundim të ndeshjes Karrareze–Katanxaro, e vlefshme për kampionatin e Serisë B. Roki ndodhej në tribunë si spektator, kur tifozët vendas shpërthyen në protesta pas një episodi të diskutueshëm në minutat shtesë të takimit.
Kontestimi lidhej me një penallti të dhënë në kohën shtesë për ekipin mik. Fillimisht gjuajtja u humb, por gjyqtari vendosi ta përsëriste. Në tentativën e dytë, skuadra mike shënoi golin që vulosi barazimin 3-3, vendim që shkaktoi reagime të forta në stadium.
Sipas pamjeve që po qarkullojnë në rrjetet sociale, një grup tifozësh rrethuan Rokin në tribunë, duke e ofenduar dhe akuzuar për korrupsion. Një prej tyre i hodhi edhe kartëmonedha në drejtim, në shenjë proteste ndaj arbitrimit.
Situata u tensionua më tej dhe u shndërrua në një përplasje verbale me tifozët, çka detyroi ndërhyrjen e forcave të policisë. Zyrtarët e sigurisë e shoqëruan Rokin mes turmës për ta larguar nga stadiumi, me qëllim shmangien e një përshkallëzimi të situatës.
Dizajnatori i gjyqtarëve u largua më pas nga impianti sportiv nën shoqërimin e policisë, ndërsa incidenti pritet të ngrejë diskutime të reja mbi tensionet dhe polemikat rreth arbitrimit në futbollin italian.
Lini një Përgjigje