
Largimi i Robert Levandovskit nga Barcelona shihet si një skenar gjithnjë e më i mundshëm për sezonin e ardhshëm. Pavarësisht zërave për një rinovim të mundshëm të kontratës edhe për një vit me pagë më të ulët, drejtuesit e klubit katalanas kanë nisur të vlerësojnë alternativa për të zëvendësuar sulmuesin polak në merkaton e verës.
Mes emrave që po shqyrtohen nga Barcelona, përmendet edhe sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani. Futbollisti 23-vjeçar po kalon një moment pozitiv me Hofenheimin në Gjermani, ku këtë sezon ka realizuar 6 gola dhe ka dhënë 4 asistime në 23 ndeshje.
Interesi i mundshëm i Barcelonës për Asllanin lidhet edhe me profilin e tij ofensiv dhe formën e treguar në Bundesliga, çka e ka bërë atë një nga lojtarët që po ndiqen në merkato.
Vetë futbollisti nuk e ka fshehur dëshirën për të luajtur një ditë në “Camp Nou”. Në një intervistë të dhënë për “Sport Bild” në tetor, Asllani shprehej entuziast për mundësinë që emri i tij të lidhej me Barcelonën.
“Kam dashur gjithmonë të luaj për Barcelonën. Do të doja të provoja ndjesinë e të luajturit në Champions League. Është e rëndësishme të kesh ëndrra dhe kam punuar shumë për t’i arritur ato”, është shprehur ai.
Sipas raportimeve në media sportive, vlera e kartonit të Asllanit përflitet rreth 30 milionë euro, një shumë që konsiderohet e përballueshme për klubin katalanas. Për sulmuesin kosovar raportohet se ka interes edhe nga klube të tjera në Angli dhe Gjermani.
Lini një Përgjigje