Mjeku Ilir Alimehmeti duke folur mbi hetimin e SPAK për koncesionin e sterilizimit tha se përgjegjësia penale nuk mbaron te këto arrestime.
Alimehmeti tha se neglizhenca mjekësore dënohet me ligj, duke ngritur pyetjen se si ka mundësi që në 8 vite s’i ra në sy askujt mos zbatimi i kontratës.
Alimehemti tha gjithashtu se ka pasur urdhra për mjekët që të mos bënin operacione të caktuara për shkak të kontratës me koncesionarin. Mjeku kërkoi që të rekuperohen të gjitha asetet financiare që u janë dhënë disa njerëzve, pa marrë shërbimet.
“Neve më parë nuk sterilizonim veglat?! Nuk kishim spitale?! Nuk kishim mjekë?! Se kam dëgjuar disa herë qeveritarë, përfshirë kryeministrin mori një palë vegla të vjetra, që ishin në muze, dhe tha që me këto operoheshin njerëzit! Ju mendoni se vërtet me ato operoheshin njerëzit! Ne kishim një model, një traditë. Patjetër që duheshin modernizuar, por me metodat e duhura. Ka skuadra të tëra kirurgësh që vazhdojnë me metodat e mëparshme, pse do ta lënë pacientin pa operuar. Njeriu ka nevojë për kujdesje dhe s’mund ta këtë në bazë të një kontrate që kanë bërë një grup njerëzish në 2015 për interesa financiare me një grup njerëzish që çudi edhe kjo e madhe, u humb një kontratë. Kontrata ka humbur. Imagjinoni që t’u humbiste ju kontrata që keni shtëpinë. Çfarë shteti është një shtet që nuk është i aftë të ruajë një kopje të kontratës. Të gjitha këto të bëjnë të kuptosh që këtu ke të bësh me një dëm më të madh nga ç’flitet. Mjafton të ndiqen paratë. Patjetër që dënimi i personave duhet bërë, por edhe rikthimi i aseteve financiare që u janë dhënë më kot disa njerëzve pa marrë shërbimet specifike.
Nuk na kishte ndodhur ndonjëherë ne që të na thonin ndërprisnin operacionet sepse na mbaroi kontrata e sterilizimit. Ne jemi disafish mbi kostot e Anglisë. Po t’i binim lapsit më mirë do na binte që t’i kishim një përdorimshme gjërat. Çfarë asetesh janë abuzuar duhet të rikuperohen. Çdo spital duhet të ngrejë strukturat operative të vetat. Duhet të kryhet një shërbim që ne e quajmë kosto efikase. Kostoja duhet përkthyer në sa më shumë efiçencë të jetë e mundur. Kjo është balanca. Modele ka të shumta. Ne nuk kemi sisteme performance, indikatorë performance. Duhet të shohim sa janë infeksionet post-operatore, nuk ekziston ky kriter. Këtë do duhej ta merrte në dorë Ministria e Shëndetësisë. Po investon 140 milionë euro, por si do e masësh sa efektive është. Duke thënë paratë në koncesione nuk na rriteshin rrogat edhe na ikën mjekët”, tha Alimehmeti.
I pyetur a mbaron përgjegjësia penale vetëm te këto arrestime, mjeku tha se dosja nuk mund të mbyllet pa llogaritur dëmet për qytetarët shqiptarë.
“Absolutisht jo. Si mund të mbarojë vetëm tek çështja e kontratës? Po gjithë këto vite, 8 vite që kjo kontratë zbatohej, nuk i binte në sy askush kjo gjë që ndodhte. Ato urdhra që lëshoheshin mos bëni më operacione nuk i binin në sy askujt! Neglizhenca mjekësore dënohet me ligj. Përtej çështjes ekonomike, a nuk kemi një vendim të mëparshëm, që u tha nuk ka elemente kriminale kjo dosje, tani na del që paska, a do flasim edhe më atë trup që ka marrë atë vendim.
Ka pasur të gjitha mundësitë që të parandalohet që në origjinë e deri 8 vjet më pas. Nëse kjo s’i bie në sy qeverisë, atëherë çfarë i bie në sy qeverisë! Ne do kthehemi dhe do shohim jo vetëm paratë por edhe të dëmet që solli ne jetën e njerëzve. Unë jam i mendimit që koncesionet duhet të pezullohen dhe të rishihen, çfarë përfituan dhe humbën shqiptarët. Këto ishin skema”., tha ai për MCN.
Lini një Përgjigje