Aktualitet22 Maj 2024, 14:49

Altin Dumani 'kërcënon' politikanët: Askush s'ka shanse të më ndikojë mua, nuk i kam duart e lidhura!

Shkruar nga Pamfleti
Altin Dumani 'kërcënon' politikanët: Askush s'ka
Altin Dumani

Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani thotë se është i pandikuar politikisht në asnjë prej çështjeve hetimore që ai ka si prokuror apo në rolin e tij si drejtues i Prokurorisë së Posaçme.

I pyetur nga deputeti i PD Flamur Noka në Komisionin e Ligjeve përse ka referim të ulët të dosjeve për korrupsion për vitin 2023 në krahasim me vitin 2008 dhe nëse ka ndërhyrje në punën e tij, Altin Dumani theksoi se në detyrën e tij është i pandikuar nga askush.

'Unë ai që kam qenë ai jam. Nuk i kam patur duart e lidhura në 2008 dhe nuk i kam duart e lidhura as në vitin 2023 edhe as në vitin 2024 edhe deri sa të ushtroj detyrën time si prokuror. Lere drejtues. Unë jam prokuror. Politik? Nuk ka shans të jem politik dhe nuk ka shans të më ndikojë kush mua në punën time dhe ju e dini shumë mirë që nuk ka shans kush të më ndikojë në punën time. Zero shanse në punën time dhe të kolegëve të mi me të cilët ndajmë çdo problematikë dhe shqetësim që kemi në punën tonë.', tha Dumani.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ligjeve, Dumani është revoltuar me aludimet e Nokës se operacioni në kuadër të të cilit u lëshuan 50 urdhër-arreste, është dekonspiruar. Dumani i është kthyer duke i thënë se është fyese dhe denigruese që të aludosh për personat që kanë punuar ditë e natë për këtë çështje kaq komplekse.

'Si mund të shkosh kaq larg dhe të aludosh, është mundi dhe fryti i punës së hetuesve, kemi punuar ditë e natë, orar e pa orar. Për mua është fyese dhe denigruese të aludosh për personat të cilët me mish e me thua janë përpjekur të hetojnë një çështje kaq komplekse. Përgjegjësia ime është të ushtroj ndjekjen penale.', tha ai.

Për vitin 2023, SPAK ka nisur 178 procedime penale për korrupsion, për 160 prej të cilave kanë përfunduar hetimet.

altin dumani