
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka rrëzuar ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe ka miratuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për shuarjen e masës së sigurisë për ish-ministrin Lefter Koka.
Apeli i GJKKO-së argumentoi se ishin kaluar afatet ligjore të paraburgimit dhe për këtë arsye, la në fuqi vendimit e Shkallës së Parë. Ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka u lirua në dhjetor të vitit të kaluar, pasi qëndroi për 4 vite në burg, që prej 14 dhjetorit të vitit 2021.
SPAK kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së, ndërsa pas vendimit të sotëm, Prokuroria e Posaçme ka mundësi që të bëjë rekurs në Gjykatën e Lartë.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Tereza Merkaj, sot më datë 26.02.2026, disponoi për çështjen penale nr. 66 akti, datë 17.02.2026 regjistrimi, mbi ankimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me objekt: “Ankim kundër vendimit nr. 798, datë 11.12.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit L.K, me vendimin nr. 22, datë 23.06.2022, të Gjykatës e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësore në datë 29.03.2022, ora 09:15 dhe e lënë në fuqi me vendimin nr. 23, datë 31.03.2022, të po asaj Gjykate”, si vijon:
- Miratimin e vendimit nr. 798, datë 11.12.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë sipas ligjit. U shpall në Tiranë, sot më datë 26.02.2026.”, thuhet në njoftimin e GJKKO-së.
Lini një Përgjigje