
Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmoi një muaj më parë se ka kryer inspektime në unazën e poshtme të Burrelit pas problemeve me rrëshqitjet e dherave.
Sipas institucionit, një studim gjeologjik i realizuar nga një kompani e licencuar identifikoi disa plane rrëshqitjeje me thellësi nga 4 deri në 13 metra. Këto të dhëna tejkalojnë parashikimet e projektit fillestar të zbatimit.
ARRSH njoftoi se po zhvillon një ekspertizë të detajuar për situatën dhe se do të paraqesë një zgjidhje teknike dhe ekonomike për të ndalur rrëshqitjet dhe për të mbrojtur investimin e kryer.
Megjithatë, një muaj pas vënies në dijeni për problemin, në terren nuk ka nisur asnjë ndërhyrje për riparimin ose frenimin e përkeqësimit të situatës.
Segmenti rrugor me gjatësi rreth 900 metra ka regjistruar katër shembje, dy prej të cilave me përmasa të konsiderueshme. Dëmtimet janë thelluar me kalimin e ditëve, duke rritur edhe koston e rehabilitimit.
Projekti për sistemimin dhe asfaltimin e unazës u financua nga qeveria përmes ARRSH me një fond prej 1.2 milion eurosh. Punimet përfunduan në tetor të vitit të kaluar, por objekti nuk është kolaauduar dhe nuk është marrë ende në dorëzim nga autoriteti. Për shkak të shembjeve të katër muajve të fundit, pritet të nevojitet një fond shtesë për stabilizimin e segmentit.
Lini një Përgjigje