Protestës së ditës së dhjetë në Tiranë i është bashkuar edhe Kapiteni i Rangut të Parë, Artur Meçollari, i cili nga sheshi para Kryeministrisë ka artikuluar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama.
Teksa qytetarët vijojnë të kërkojnë largimin e kreut të qeverisë, Meçollari tha se Rama mban përgjegjësi për një sërë projektesh dhe vendimesh që sipas tij kanë dëmtuar ekonominë, mjedisin dhe interesat kombëtare të Shqipërisë.
“Edi Rama ka shkatërruar të gjithë Shqipërinë. Aeroporti i Kukësit, asnjë avion nuk ulet e ngrihet. Koncesionari çdo muaj merr paratë nga shteti shqiptar. Porto Romano, pa studim fizibiliteti. Porti i Durrësit është krim shtetëror. Në Palasë dhe Dhërmi e keni parë çfarë ka ndodhur, është tjetërsuar mjedisi. Rama jo vetëm që vjedh pasurinë publike, por është edhe kërcënim për sigurinë kombëtare”, deklaroi Meçollari.
Prania e ish-ushtarakut në protestë vjen në ditën e dhjetë të mobilizimit qytetar në Tiranë, ku protestuesit kanë marshuar sërish drejt Kryeministrisë me thirrjet “Rama ik”, “Duam drejtësi” dhe “Atdheu nuk shitet”.
Gjatë ditëve të fundit protestës i janë bashkuar figura të ndryshme publike, artistë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa pjesëmarrësit këmbëngulin se lëvizja ka tejkaluar tashmë një kauzë të vetme dhe është shndërruar në një reagim më të gjerë kundër qeverisë dhe klasës politike.
Lini një Përgjigje