Ministri i jashtëm grek Jorgos Gjerapetritis ka folur me tone kërcënuese teksa ka bërë një deklaratë në lidhje me refuzimin nga Gjykata e Lartë për të liruar Fredi Belerin.
Gjerapetritis thotë se ky vendim i shtohet vendimeve të mëparshme të gjykatave shqiptare, të cilat i mohojnë Belerit të drejtën të betohet dhe të ushtrojë detyrën që i caktuan qytetarët e Himarës.
“Vendimi i Gjykatës së Lartë të Tiranës për rrëzimin e ankimit të kryebashkiakut të paraarrestuar të Himarës, Fredis Beleris për lirim nga burgu me kushte kufizuese vjen si shtesë e vendimeve të mëparshme të gjykatave shqiptare, të cilat në thelb i heqin z. Beleris të së drejtës për të betuar dhe marrë përsipër detyrat që i ngarkohen nga qytetarët e Himarës”, deklaroi ministri i Jashtëm, Giorgos Gerapetritis, raportojnë mediat greke.
Më tej, ministri grek ka paralajmëruar Shqipërinë të respektojë shtetin e së drejtës nëse do të jetë pjesë e familjes europiane. Gjithashtu Gjerapetritis i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare të sigurojë betimin e menjëhershëm të Belerit brenda apo jashtë burgut.
“Ky është një zhvillim negativ, që përbën një shkelje të qartë të parimeve themelore të shtetit të së drejtës, të cilat Shqipëria duhet t'i respektojë dhe t'u përmbahet nëse dëshiron të bëhet anëtare e familjes europiane. I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të sigurojë menjëherë, ligjërisht apo administrativisht, betimin e menjëhershëm të Belerit brenda apo jashtë burgut”, thekson ai.
Në përfundim të deklaratës Gjerapetritis njoftoi se Ministria e Jashtme do të vazhdojë të monitorojë nga afër zhvillimin e çështjes dhe do ta ngrejë këtë çështje në të gjitha forumet ndërkombëtare.
Kujtojmë se ditën e djeshme, Gjykata e Lartë vendosi që Fredi Beleri të vazhdojë të qëndrojë nën masën arrest me burg.
Beleri këmbënguli edhe në shkallët e tjera të drejtësisë se duhet t’u shërbejë qytetarëve që e kanë votuar në 14 maj , zgjedhje për të cilat SPAK e akuzon se u implikua në aferë korruptive duke paguar një shumë prej 400 mijë lekë për të blerë tetë vota.
Shitblerja e votës u zbulua jo vetëm me metodat speciale por edhe përmes një bashkëpunëtori që ndihmoi prokurorinë e Vlorës në këto hetime. Prokuroria deklaron se një qytetar ofroi bashkëpunimin me drejtësinë, duke ekspozuar Belerin dhe Pandeli Kokaveshin që dyshohen se paguan para në shkëmbim të votës. Pagesa u krye në një lokal, dhe autoritetet theksojnë që disponojnë përgjime ambientale të kryera nga një grup operacional i dërguar nga Tirana.