Aktualitet26 Korrik 2023, 17:22

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Përmirësohet situata në disa zona, problematikë fshati Buz në Memaliaj

Shkruar nga Pamfleti

Zjarret në vend, Ministria e Mbrojtjes: Përmirësohet situata

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacione në lidhje me situatën e zjarreve në vendin tonë.

Me anë të një njoftimi, ministria bën me dije se është fikur zjarri në drejtim të Kreshpanit, në masivin me ullishte dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH.

Më tej, në njoftim thuhet se problematikë mbetet vatra e zjarrit në fshatin Buz në Memaliaj.

"Si rezultat i punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile, ndihmuar edhe nga efektivë të Forcave të Armatosura si dhe nën koordinimin e Agjencisë së Mbrojtjes Civile është arritur të përmirësohet situata në disa vatra zjarri në territorin e vendit. Është fikur zjarri në drejtim të Kreshpanit, në masivin me ullishte dhe po mbahet në monitorim nga trupat e FA dhe efektivë të MZSH. Ndërkohë po vazhdon operacioni për vënien nën kontroll të flakëve në masivin pyjor Plyk- Kraps-Gjorkos.

Në fshatin Hekal, në Mallakastër situata është nën kontroll dhe po izolohet edhe vatra e fundit aktive. Po vijon operacioni për kapsulimin e vatrave në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, në Vlorë. E vështirë është puna e forcave të emergjencave për shkak të terrenit në fshatin Buz, në bashkinë Memaliaj. Por përhapja e zjarrit është e dobët, pasi zjarri ndodhet mes dy zallishteve. Është arritur të izolohet plotësisht zjarri në malin e Gjallicës në njësinë administrative Shtiqen, në Kukës. Po ashtu janë vënë tërësisht nën kontroll flakët dhe vatrat në fshatin Mandaj, në njësinë administrative Helmas në Kavajë.", njofton Ministria e Mbrojtjes.

ministria e mbrotjes zjarr