
Analisti Ben Andoni ka folur për ish-kryeministrin Fatos Nano, i cili u nda nga jeta një ditë më parë.
Andoni e cilësuar Nanon si një nga figurat më të veçanta të tranzicionit shqiptar, që ndonëse nuk e mori politikën me seriozitet, e kuptoi thellësisht realitetin e vendit.
Andoni u shpreh se Nano ishte kryeministër në momentet më të vështira për Shqipërinë.
“Shqipëria atëherë kishte një situatë shumë të vështirë, por pozicioni i tij si liberal dhe moskokëçarës e bënte të dallohej nga të tjerët në politikë. Nano nuk e mori kurrë seriozisht politikën shqiptare,” tha Andoni.
Sipas analistit, Fatos Nano ishte një njeri i lexuar, me një horizont kulturor të gjerë, i lidhur me artin dhe letërsinë, që “lexonte në disa gjuhë të huaja” dhe kishte një kuptim të thellë të karakterit shqiptar.
“Ai kuptoi atë që shumë shqiptarë nuk e kuptojnë as sot që shqiptarët bëjnë një jetë të amullt, pa rregulla, dhe e kanë të vështirë të ndërtojnë një shtet me ligje,” theksoi Andoni.
Duke folur për periudhën kur Nano drejtoi qeverinë (2002–2005), Andoni u shpreh se ajo ishte “një nga periudhat më të korruptuara në historinë e vendit”, por njëkohësisht edhe një kohë që tregoi indiferencën e Nanos ndaj pushtetit.
“Nga viti 2002 deri në 2005 Shqipëria ishte ndër vendet më të korruptuara, dhe kjo lidhej me faktin që Nano nuk e mori seriozisht politikën. Kthimi i Berishës në pushtet në 2005 ishte një nga gjërat më të jashtëzakonshme që arriti vetë Berisha, por edhe pasojë e neglizhencës së Nanos,” shtoi ai.
Analisti nënvizoi se Nano “e kuptoi kohën e tij” dhe “e mori pushtetin me qetësi”, duke e përshkruar si një politikan që vinte nga një eksperiencë austriake dhe që organizoi mirë zgjedhjet, por nuk arriti ta kthejë pushtetin në instrument transformimi.
Lini një Përgjigje