
Sheshi “Skënderbej” sot u kthye në një oaz freskie për qindra qytetarë që përpiqeshin t’i shpëtonin vapës përvëluese. Tirana po përjeton një ditë rekord të nxehti, me temperatura që gjatë mesditës shënuan deri në 43 gradë Celsius, duke vendosur në rrezik serioz shëndetin e qytetarëve, sidomos të moshuarve dhe fëmijëve.
Qytetarët janë parë të mbushin burimet e ujit, të lagin fytyrën, duart dhe madje edhe të freskohen tërësisht, në përpjekje për të zbutur efektin e valës së nxehtësisë. Shumëkush ka zgjedhur të kufizojë lëvizjet e panevojshme gjatë orëve më kritike të ditës, ndërsa farmacitë raportojnë rritje të shitjes së solucioneve kundër dehidratimit.
Meteorologët paralajmërojnë se kjo valë e nxehti mund të zgjasë edhe disa ditë, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin ekspozimin në diell gjatë mesditës dhe të kujdesen veçanërisht për fëmijët dhe të moshuarit. Ndërkohë, bashkia e Tiranës po apelon për përdorim sa më efikas të pikave publike të ujit dhe shtimin e kujdesit ndaj personave në nevojë.






Lini një Përgjigje