
Prokuroria dhe Policia e Elbasanit, në orët e para të mëngjesit të së hënës kanë zhvilluar kontrolle në 14 banesa të personave që kanë lidhje me inceneratorin në qytetin e Elbasanit.
Ky kontroll vjen në zbatim të vendimit të Gjykatës së Elbasanit. Kontrollet e Prokurorisë janë kryer në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për këtë incenerator, për veprën penale të "shpërdorimit të detyrës".
Hetimet kanë nisur më shumë se një vit më parë për zjarrvënie, pasi fusha e mbetjeve u përfshi nga flakët në vitin 2024, por duket se gjatë hetimeve Prokuroria ka gjetur elementë të shpërdorimit të detyrës.
Operacioni është shtrirë në të gjithë qarkun e Elbasanit, ndërsa kontrollet e kryera kanë pasur për qëllim grumbullimin e provave të reja dhe ndriçimin e plotë të veprimtarive të dyshimta që lidhen me ndërtimin, funksionimin dhe administrimin e inceneratorit.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë bërë të ditur nëse ka persona të ndaluar apo masa të tjera procedurale ndaj të dyshuarve, ndërsa hetimet vijojnë në mënyrë intensive.
Lini një Përgjigje