
Ish-deputeti Myslim Murrizi ka publikuar një reagim satirik për një lokal në Korçë që ka vendosur një dekor të veçantë në hyrje të tualeteve. Lokali ka afishuar librat e Enver Hoxhës, një ide që sipas Murrizit përputhet me perceptimin e qytetarëve për klasën politike.
Murrizi shkruan se nuk ekziston vend më i përshtatshëm për CV-të e autokratëve, hajdutëve dhe mashtruesve politikë sesa tualeti. Ai shton se pas 35 vitesh tranzicion shumë figura politike kanë mashtruar shqiptarët duke simuluar përplasje publike, ndërsa sipas tij kanë bashkëpunuar në pazare dhe marrëveshje të fshehta.
“Një lokal në Korçë kishte bërë një dekor mbresëlënës para se të futeshe në tualet ose halé siç i themi fshatçe.
Nuk ka destinacion më të mirë për historikun apo CV e çdo diktatori autokrat, hajdut, mashtrues apo hipokrit ordiner politikan se sa haleja.
Edhe pak kohë dhe besoj që halet e Shqipërisë do mbushen edhe me 5–6 figura të tjera që në 35 vite nuk kanë lënë gjë pa bërë duke mashtruar Shqiptarët se bëjnë “betejë” me njëri-tjetrin por në fakt janë bashkë në çdo pazar e pisllëk siç janë bashkë në çdo lokal halet e burrave dhe grave", shkruan Murrizi.
Lini një Përgjigje