Aktualitet26 Tetor 2023, 12:06

Çështja 'Beleri', Gjykata Kushtetuese kalon për shqyrtim dosjen

Shkruar nga Pamfleti
Çështja 'Beleri', Gjykata Kushtetuese kalon për
Fredi Beleri

Gjykata Kushtetuese ka kaluar për gjykim çështjen e shitblerjes së votave për të cilën akuzohet kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

Gjykata do të shqyrtojë ankimimin e avokatëve mbrojtës të Belerit, i ngritur kundër vendimeve tëqë e lanë atë në burg.

Beleri ndodhet pas hekurave që prej 12 Majit. Ai u arrestua dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale nga të cilat doli fitues me diferencë të vogël votash, në përballjen me socialistin Jorgo Goro.

Pavarësisht kësaj, Beleri, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ende nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak, pasi gjykatat kanë refuzuar në disa shkallë kërkesën e tij për të dalë nga burgu.

"Ju informojmë se në Gjykatën Kushtetuese në datën 28.09.2023 është paraqitur dhe regjistruar me nr. 2 (Dh) 2023 regjistri themeltar, datë 28.09.2023 kërkesa me kërkues Dhionisios Alfred Beleri, me objekt: “Shfuqizimin si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë i vendimit nr. 00-2023-1313 (224), datë 25.07.2023 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, i vendimit nr. 19, datë 01.06.2023 të Gjykatës së Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe i vendimit nr. 46, datë 22.05.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese në datën 23.10.2023, bazuar në nenin 21, pika 1, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, ka vendosur kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve." ka njoftuar gjykata.

Ndërkohë ditën e djeshme Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesat paraprake të Fredi Belerit dhe Pandeli Kokaveshit për shpalljen e pavlefshme të akteve hetimore.

GJKKO vlerësoi se kjo kërkesë ishte e pabazuar në ligj. Pas këtij vendimi, avokatët e Belerit kërkuan përjashtimin e trupës gjykuese.

Në vijim, gjykata çeli procesin gjyqësor dhe ftoi prokurorinë të lexojë kërkesën për gjykim. Sipas SPAK, hetimi ndaj Belerit nisi pas një informacioni të Policisë së Vlorës. Më pas, Arsen Rama pranoi të bashkëpunojë me oficerët e Policisë Gjyqësorë për kryerjen e veprimeve të simuluara dhe përgjimet audio e video.

Në një nga takimet me Alfred Belerin, Ramës i është premtuar nga 50 euro për çdo votë të sigurt dhe 300 euro për atë vetë. Të nesërmen, pasi ka dërguar një listë me 8 persona, Arsen Rama, ka marrë nga Pandeli Kokaveshi një shumë prej 4 mijë lekësh të rinj.

Seanca e radhës ndaj Belerit është në 7 nëntor, ku do të thirren 8 dëshmitarët e parë të prokurorisë.

fredi beleri gjykata kushtetuese