
Mes personave të asfiksuar nga tymi në godinën 12 katëshe në Lushnje që u përfshi nga flakët pas një zjarri që ra fillimisht në qendrën tregtare Metropol janë edhe dy zjarrfikës.
Ata tregojnë për problemet që patën gjatë betejës për shuarjen e flakëve ndërsa thonë se tashmë që bënë serume do të rikthehen në krye të detyrës.
“Patëm problem me frymëmarrjen u bllokuam nga tymi, morëm serum dhe oksigjen, tani do shkojmë përsëri në punë”, thanë ata.
Ndërsa raportohet se janë riaktivizuar sërish flakët në qendrën tregtare në Lushnje. Edhe pse pas më shumë se 4 orësh u vu nën kontroll situata, mësohet se pak më parë flakët janë aktivizuar në katin e fundit të qendrës tregtare.
Zjarri ra rreth orës 14.30 në një dyqan këpucësh në katin e tretë të qendrës tregtare, dhe më pas është përhapur në gjithë qendrën. Shkak dyshohet të jetë bërë një shkëndijë në një kondicioner në dyqanin ku mendohet se nisi zjarri.
Po ashtu flakët kanë përfshirë dhe një lokal, i cili ishte me veshje druri dhe kjo ka bërë që situata të dalë jashtë kontrollit. Deri tani raportohet për 42 persona të asfiksuar.
Lini një Përgjigje