
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka do të zhvillojë një takim me ministrin e Jashtëm të Greqisë, Vassilis Kaskarelis në lidhje me arrestimin e Fredi Belerit.
Lajmi u bë i ditur nga një postim në rrjetet sociale të ministrit grek, ku shkruan se takimi do të zhvillohet për ngritjen e çështjes së lirisë së kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
“Në orët në vijim do të takohem me Ministren e Jashtme të Shqipërisë Olta Xhaçka në Oslo, për të ngritur çështjen e lirimit të kryetarit të zgjedhur të Himarës Fredi Beleris dhe partnerit të tij Pantelis Kokavesis”, shkruan ministri grek.
Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri u arrestua më 12 maj në lokalin e tij, teksa ofronte para për të blerë 8 vota në shifrën e 40 mijë lekëve. Arrestimi erdhi pas denoncimit në prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para në këmbim të votave.
Po ashtu, Beleri sipas organit të akuzës, u premtonte se do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek. Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Pavarësisht hetimeve të nisur ndaj tij, Fredi Beleri mori Bashkinë e Himarës me 19 vota më tepër, përballë kandidatit socialist Jorgo Goro.