Aktualitet29 Shkurt 2024, 13:24

Fshehu pasurinë dhe bëri biznes me avokatët që gjykonte çështjet, ILDKPI kallëzon në prokurori gjyqtarin e Vlorës, Hektor Sinanaj

Shkruar nga Pamfleti

Fshehu pasurinë dhe bëri biznes me avokatët që gjykonte

Gjyqtari i Vlorës, Hektor Sinanaj dhe familjarët e tij janë kallëzuar në prokurorinë e Tiranës për akuzën e “Fshehjes së pasurisë”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Korrupsionit”.

Përveç gjyqtarit Hektor Sinanaj, të kallëzuar në prokurori janë dhe bashkëshortja dhe djali i tij, që aktualisht vijon studimet në shkollën e magjistraturës, profili prokuror.

Kallëzimi mësohet se është kryer nga Inspektori i Lartë i Deklarimit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, pasi gjatë verifikimeve të kryera nga ndaj këtij subjekti, ka rezultuar se ekzistojnë të dhëna se gjyqtari dhe familjarët e tij, kanë kryer fshehje pasurie.

Sipas kallëzimit të ILDKPI, gjyqtari i Vlorës përmes konfliktit të interesit ka favorizuar disa avokatë në Vlorë, me të cilët ka përfituar shuma monetare.

Nga verifikimet rezulton se nga ana e Hektor Sinanaj, janë ndërmarrë veprime që përbëjnë një mospërmbushje të rregullt të detyrës, në shkelje të rregullave të papajtueshmërisë, në kushtet e konfliktit të interesit si dhe në përdorimin e statusit të magjistratit me qëllim krijimin e përfitimeve, për të tjerët si dhe në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia.

ILDKPI, pretendon në kallëzimin e saj dorëzuar në prokurorinë e Tiranës, se gjyqtari ka në pronësi një godinë përpara gjykatës së Vlorës, ambientet e së cilës ua kishte dhënë me qira disa avokatëve, me të cilët ka zhvilluar procese gjyqësore, në disa raste edhe i ka caktuar kryesisht, duke përfaqësuar persona të ndryshëm në seancë gjyqësore të gjykuara nga vetë gjyqtari Sinanaj.

ILDKPI shprehet se me të njëjtën avokatë që gjyqtari Sinanaj kishte një marrëdhënie kontraktuale dhe tregtare, zhvillonte dhe procese gjyqësore në Gjykatën e Vlorës.

Ndërkohë dy javë më parë ishte Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, që i dorëzoi një raport Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke nënvizuar shkeljet e njëpasnjëshme të kryera nga gjyqtari i Vlorës Sinanaj, duke kërkuar shkarkimin e menjëhershëm të tij.

Përpara se këto dy institucione të ndërmerrnin hapa me kallëzime në prokurori dhe kërkesa për shkarkim në KLGJ, gjyqtari i Vlorës, Hektor Sinanaj paraqiti me datë 5 janar 2024 kërkesë për dorëheqje pak përpara se të përballej dhe me procesin e Vettingut.

hektor sinanaj gjyqtari i vlores fshjehje pasurie biznes avokate