Kandidati për kreun e SPAK, Adnan Xholi, bëri një përmbledhje të punë së tij të nisur që nga viti 1997.
Prokurori Adnan Xholi paraqiti para anëtarëve të KLP-së disa prej hetimeve të tij kur ka qenë drejtues i Prokurorisë së Gjirokastrës, prokuror pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe SPAK.
Ndër punët e tij, ai tregoi goditjen e një grupi kriminal që grabiste shqiptarët që vinin nga Greqia në vitin ’97. Një tjetër ishte edhe zbardhja e disa rrëmbimeve të biznesmenëve në Gjirokastër, po të njëjtin vit, ku u mbajtën peng për disa ditë.
"Jam emëruar në vitin 1999 si prokuror në Gjirokastër. Jam angazhuar në hetimin e çështjeve sensitive që kishin ndodhur në vitin 1997. Kam prezantuar rastin e vrasjes të quajtura si ‘vrasja e Glinës’ në vitin 1997, një grup kriminal i armatosur me shtrirje në aksin Vorë-Tepelenë kishin krijuar mekanizëm për të grabitur shtetasit shqiptarë që punonin dhe jetonin në Greqi, dhe u zinin kurth në pikën kufitare. Njëri nga anëtarët hiqej si taksist dhe bashkëpunëtorët e prisnin ne rrugë. Katër shtetas shqiptarë u vranë nga ky grup. Janë identifikuar autorët dhe janë dënuar të gjithë, për ekzekutorin kam kërkuar ’dënim të përjetshme’.
Dy çështje të tjera kanë të bëjnë me rrëmbimin e biznesmenëve. Dy biznesmenë u rrëmbyen, një në fshatin Peshkopi dhe një në qytetin e Gjirokastrës. I rrëmbyen për një periudhë 9-18 ditë, ushtruan dhunë psikologjike dhe fizike. Duke i detyruar të hapnin varrin e tyre me qëllim të merrnin shumat monetare të kërkuara, ishin 100 mln dhrami.”, u shpreh Adnand Xholi.
Madje ai deklaroi se hetimet e pezulluara janë rifilluara nga ai, duke identifikuar autorët dhe duke i dënuar ata.
Sa i përket Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ai deklaroi se ka hetuar dy masakrat, atë të Cërrikut dhe Qafë Gjashtës, duke dënuar autorët.
Për punën në SPAK, ai deklaroi ndjekjen penale të një kryetari bashkie që përfshihej në ligjin e dekriminalizimit dhe nuk kishte deklaruar dënimin. Po ashtu foli edhe për hetimet ndaj grupeve të strukturuara kriminale që merreshin me trafik droge.
Po ashtu përmendi edhe dënimin e një ish-deputeti i cili ishte zbuluar në SKY ECC se furnizonte grupet kriminale me informacione dhe në shkëmbim shpërblehej me vota.
Lini një Përgjigje