TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 7 Dhjetor 2025, 20:06

Gazetarët nën kërcënim pas vizitës në Izrael, UGSH denoncon gjuhën e urrejtjes dhe sulmet e ekstremistëve online

Shkruar nga Pamfleti

Gazetarët nën kërcënim pas vizitës në Izrael, UGSH

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) ka reaguar sot ashpër ndaj një vale sulmesh verbale, kërcënimesh dhe stigmatizimesh të rënda që kanë shpërthyer online ndaj një grupi gazetarësh shqiptarë dhe kosovarë, të cilët morën pjesë në një vizitë profesionale në Izrael javën e kaluar.

Në një deklaratë zyrtare, UGSH dënon publikisht gjuhën agresive të disa mediave online me qasje fetare, të cilat kanë shënjestruar gazetarët pjesëmarrës në këtë udhëtim, duke hapur rrugë për fushata linçimi dhe inkurajuar ekstremizëm mediatik në rrjetet sociale.

“Media të angazhuara fetarisht kanë nisur një sulm të ashpër verbal, duke inkurajuar ekstremistë në hapësirën virtuale për t’i sulmuar gazetarët, duke shkuar deri në kërcënime të rrezikshme,” thuhet në reagimin e Unionit. Ndërkohë, përmes rrjeteve sociale dhe faqeve të ndryshme online, gazetarët janë bërë objekt fyerjesh, shantazhesh dhe etiketimeve, një realitet që UGSH e cilëson si incident i paprecedentë.

Sipas UGSH, gazetarët kanë demonstruar profesionalizëm dhe korrektesë gjatë vizitës në një prej zonave më delikate të globit, dhe nuk kanë bërë asnjë tejkalim etik apo politik në raportimet apo reflektimet e tyre publike.

Reagimi i plotë

Gjatë ditëve të fundit pranë UGSH kanë mbëritur disa ankesa kolegësh, të cilët së bashku me një grup kolegësh nga rajoni, kryesisht nga Kosova javën e shkuar, morën pjesë në një vizitë në Izrael.

Media online të angazhuara fetarisht, kanë nisur një sulm të ashpër verbal, duke inkurajuar ekstremistë të shumtë në hapësirën virtuale për t’i sulmuar kolegët duke shkuar deri në kërcënime të rrezikshme. Në këto hapësira mediatike kanë vërshuar publikime që linçojnë dhe fyejnë kolegët pjesëmarrës në këtë udhëtim. Ky është një incident i pangjarë më herët. Qëndrime të tilla kolegësh dhe mediash të angazhuara inkurajojnë ekstremizmin dhe agresivitetin e militantëve dhe fanatikëve të ndryshëm.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë mbështet dhe inkurajon organizimet dhe lëvizjet e lira të gazetarëve dhe mbështet fuqimisht mëvetësinë raportuese të çdo kolegu. Në rastin e vizitës së kolegëve në Izrael vërejmë se prej tyre është dëshmuar korrektesë dhe përgjegjësi për çdo rast reagimi dhe reflektimi nga ditët e vizitës në vendin që është në epiqendër të vëmendjes globale për shkak të luftës në Gaza.

UGSH ka pritur me shqetësim denoncimet e kolegëve pjesëmarrës në këtë vizitë, të cilët përmes faqeve në rrjetet sociale dhe shumë online-ve, ndodhen nën breshëri kërcënimesh, fyerjesh, shantazhesh dhe stigmatizimesh të pazakonta.

UGSH apelon për ndaljen e sulmeve të tilla në hapësirën mediatike të vendit dhe denoncon të gjitha rastet e kërcënimeve apo shantazheve që vijnë nga individë apo grupe dhe entitete radikale në mënyrë të drejtpërdrejtë apo indirekt.

Kërkojmë nga institucionet e sigurisë dhe ligjit të monitorojnë këto kërcënime dhe vënë para përgjegjësisë ligjore autorët dhe urdhërdhënësve të tyre.

1 Komente

  1. a
    astrit

    UGSH te pyese veten se me çfare morali mbeshtet izraelin ne vrasjen e femijeve? Ti dalesh ne mbrojtje gazetareve qe mbrojne fashizmin izraelit je vete fashist!

    Lini një Përgjigje