Aktori i famshëm Can Yaman ka reaguar ashpër ndaj producentit veteran Faruk Turgut, pasi ky i fundit deklaroi se nuk do të bashkëpunonte më kurrë me aktorin.
Themeluesi i shtëpisë së prodhimit Gold Film, në një intervistë për gazetarin Izet Çapa, u pyet nëse do të punonte sërish me yllin turk. Përgjigjja e tij ishte e prerë.
“Jo”, u shpreh Turgut, duke shtuar se, megjithëse seriali Erkenci Kuş (Zogu i mëngjesit) ishte një sukses i madh, bashkëpunimi me Can Yaman kishte qenë i vështirë për shkak të sjelljes dhe deklaratave të aktorit pasi u bë i famshëm.
Deklarata e producentit nxiti menjëherë reagimin e Can Yaman, i cili publikoi një mesazh të gjatë në rrjetet sociale.
“O i dashur, i mjerë Faruk Turgut. Po ta dija, do t’i dërgoja lule. Ka ndodhur vdekje e trurit. Zoti e pastë shpirtin”, shkroi aktori, duke përdorur tone ironike dhe të ashpra.
Më tej, Yaman e akuzoi producentin se vazhdon të flasë kundër tij pasi ai vendosi të vazhdonte karrierën me Ay Yapım dhe jo me Gold Film. Sipas aktorit, Turgut kishte tentuar të pengonte bashkëpunimin e tij me Disney, duke pretenduar se mes tyre ekzistonte një marrëveshje.
Can Yaman i mohoi këto pretendime, duke theksuar se një marrëveshje e tillë nuk ka ekzistuar kurrë. Deri tani, Faruk Turgut nuk ka reaguar ndaj këtyre akuzave.
Aktori shfrytëzoi rastin edhe për të folur për sukseset e tij të fundit ndërkombëtare. Ai tha se seriali historik El Turco është shitur edhe në Shtetet e Bashkuara, ndërsa Sandokan, ku interpreton rolin kryesor, ka marrë vlerësime pozitive në Itali dhe pritet të lançohet më gjerësisht në tregun ndërkombëtar.
“Jam aq i lumtur me vendin ku kam arritur në karrierën time sa çfarëdo dëmi që ke bërë, është një gjë e mirë që e bëre”, shkroi ai.
Polemika mes Can Yaman dhe Faruk Turgut ka rikthyer në vëmendje tensionet që datojnë prej vitesh, duke u bërë një nga temat më të komentuara të ditëve të fundit në mediat turke dhe rrjetet sociale.
Lini një Përgjigje