
Rrjeti televiziv publik gjerman, ZDF, ka përgatitur një dokumentar mbi mafien shqiptare. Dokumentari i ZDF hedh dritë mbi dominimin e mafies shqiptare në nivel ndërkombëtar, ku cilësohen si importues të dorës së parë të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës.
“Mafia shqiptare e kokainës, ku nuk ka probleme me furnizimin dhe droga transportohet nga Kolumbia me mallrash ku shqiptarët luajnë një rol kyç”, thuhet në dokumentarin e ZDF.
Gazetari britanik Matt Shea udhëtoi në Kolumbi për të zbuluar se si grupet kriminale shqiptare bashkëpunojnë me kartelet e drogës dhe kontrollojnë shpërndarjen e kokainës në Evropë. Ai hedh dritë mbi mënyrën se si kokaina shpërndahet nëpër Evropë, deri tek rrugët e Londrës, Amsterdamit dhe Tiranës.
“Konsumi i kokainës është në rritje në Europë. Droga transportohet me anije mallrash nga Amerika Latine në Europë dhe mafia shqiptare luan një rol kyç në këtë trafik”, thuhet në dokumentar.
Ai zbulon gjithashtu se si grupe si “Hellbanianz”, të njohur për videot ku shfaqin pasurinë e tyre dhe mjetet luksoze, e çojnë drogën deri tek konsumatorët.
Gazetari takon anëtarë bandash, trafikantë rruge, zyrtarë dogane dhe gazetarë investigativë, të cilët dëshmojnë sesi klanet shqiptare janë bërë të pazëvendësueshme në tregun ndërkombëtar të drogës. Ato operojnë me një disiplinë ushtarake, teknologji të avancuar dhe janë të lidhura ngushtë me rrjete financiare për pastrimin e parave.
Sipas Shea, shqetësimi i vërtetë nuk qëndron vetëm te droga, por te fuqia e jashtëzakonshme ekonomike dhe territoriale që këto grupe po fitojnë. Grupet po ndërtojnë struktura paralele që sfidojnë ligjin dhe rendin në shumë shtete evropiane. Për më tepër, mungesa e koordinimit ndërkombëtar dhe niveli i lartë i korrupsionit në disa vende ndihmon në mbijetesën dhe fuqizimin e këtyre organizatave.
Dokumentari jep alarmin për autoritetet por edhe për shoqërinë: krimi shqiptar nuk është më një problem lokal – është një forcë transnacionale që po kërcënon sigurinë dhe rendin në të gjithë Evropën.
Shqipëria, një nga vendet më të varfra të Evropës, ka një histori të trazuar. Varfëria, dobësia e institucioneve, korrupsioni dhe trashëgimia e regjimit komunist e kanë kthyer këtë shtet të Ballkanit në një terren të përshtatshëm për lulëzimin e krimit të organizuar.
Kjo seri e dokumentarit investigon ngritjen e mafies shqiptare në një nga organizatat kriminale më të frikshme në botë. Përmes bisedave me anëtarë bandash, shpërndarës rrugësh, doganierë dhe gazetarë investigativë, Matt Shea nxjerr në pah sesi kartelet, klanet dhe rrjetet financiare ushqejnë po sundojnë tregjet më fitimprurëse të drogës në botë. Bisedat e tyre me viktima, autorë dhe hetues ofrojnë një vështrim të thelluar në botën e errët të krimit.
Lini një Përgjigje