
Në procesin për dosjen e Sterilizimit, Gjykata vendosi ndarjen e çështjes së Ilir Beqajt nga 8 të pandehurit e tjerë.
Pas tërheqjes në dhomë këshillimi, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të pranojë kërkesën për gjykim të shkurtuar për të gjithë të pandehurit në çështjen “Sterilizimi”, me përjashtim të Ilir Beqajt. As Beqaj dhe as avokati i tij nuk kishin bërë kërkesë për gjykim të shkurtuar.
Kjo do të thotë se Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri dhe Naile Ajazi do të përfitojnë nga ulja e 1/3 së dënimit nëse shpallen fajtorë, në bazë të procedurës së përshpejtuar.
Ndërkohë, Ilir Beqaj do të gjykohet në procedurë të zakonshme, ndërsa ai ka vijuar të kundërshtojë akuzat ndaj tij, duke kërkuar qartësi në formulimin e tyre.
Sot (27 maj), në seancën e radhës për gjyqin mbi dosjen e Sterilizimit me vlerë 100 mln euro në Gjykatën e Posaçme, i pranishëm ka qenë si i pandehur edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, që në këtë proces ndiqet në gjendje të lirë, por është i arrestuar për fondet e ‘SASPAC”.
Gjatë seancës, ku SPAK ka 9 persona të pandehur në dosje, ka folur edhe vetë ish-ministri, që pretendoi se është i pafajshëm, duke u bazuar tek një vendim i mëparshëm i ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ndërsa pretendoi se po akuzohet dhe gjykohet për vjedhje, por pa shifër, duke e cilësuar procesin edhe si 'inkuizicion'.
Ai vuri theksin te “parimi i gjësë së gjykuar”, duke artikuluar edhe një vendim pushimi të Prokurorisë së Tiranës më parë dhe që për të “janë pafajësi”, bazuar edhe te vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë.
“I kërkova SPAK-ut të më japë një vendim të ish-Krimeve të Rënda, që e ka në arkivë. 5 herë e kam kërkuar dhe s’ma dhanë, e mora tek Kuvendii se ja kishin çuar Komisionit Hetimor. Ai vendim dhe vendimi i Prokuorisë së Tiranës, per mua janë pafajësi sipas parimit të gjësë së gjykuar. Ka dhe vendime unifikuese të Gjykatës së Lartë”, u shpreh ish-ministri në gjyq.
Beqaj ka vijuar të argumentojë se nuk ka shifra dhe të dhënat ishin kontradiktore në dosje dhe vendimin paraprak.
“Akuzohem për vjedhje, por s’ka shifër, SPAK nuk ka bërë arsyetimin e akuzës së re që e pranoi nga gjykata. Ne nuk jemi sekonda, jeta jonë nuk është sekond për gjykim të shkurtuar”, u shpreh ai.
Kurse prokurori i SPAK Edvin Kondili pretendoi se “vendimi i gjyqtarit te seances paraprake i ka të gjitha momentet”.
Por ish-ministri kundërshtoi përsëri duke thënë edhe arsyet se pse ka kërkuar që vendimi i gjyqtares të shpallet i pavlefshëm. Madje Beqaj shkoi edhe më tej, duke pretenduar se ndaj tij po bëhej ‘inkuizicion’.
“Ndjesë prokuror, vendimi i gjyqtares së seancës paraprake ka të dhëna kontradiktore, ndaj kërkova të shpallet i pavlefshëm. Vazhdimi i këtij procesi gjyqesor nuk është gjë tjetër, veçse vazhdim i inkuizicionit ndaj meje”, tha ai.
Pas debateve, Gjykata u tërhoq edhe për vendim, lidhur me ndarjen e çështjes për të pandehurit që kanë kërkuar gjykimin e shkurtuar.
Dhe pasi dëgjoi argumentat e palëve vendosi ndarjen e dosjes dhe pranimin e kerkësës së 8 të pandehurve për gjykim të shkurtuar, teksa vetëm ish-ministri Beqaj do vijojë me procedurë të zakonshme.
Lini një Përgjigje