Aktualitet25 Shkurt 2023, 16:06

Gjyqtarët kërkojnë rritje page, paralajmërojnë kallëzim penal ndaj qeverisë

Shkruar nga Pamfleti

Gjyqtarët kërkojnë rritje page, paralajmërojnë

Unioni i gjyqtarëve ka paralajmëruar kallëzim penal nëse qeveria nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ju njohu atyre të drejtën për rritjen e pagës bazë dhe pensionit suplementar. Unioni i ka bërë thirrje KLGJ-së edhe për plotësimin e vakancave në sistem.

Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë unionit të gjyqtarëve, që në nëntor të vitit të kaluar. Sipas këtij vendimi, qeveria detyrohet të paguajë një shtesë prej 14 mijë lekësh mbi pagën bazë të çdo magjistrati që nga viti 2019 e në vazhdim dhe të pranojë një përllogaritje të re të pensionit në bazë të kontributeve. Por ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj ky vendim nuk po zbatohet.

Kryetar i unionit të gjyqtarëve Gerdi Hoxha, tha se ligjvënësit duhet të tregohen të kujdesshëm në veprimet që kryejnë pas vendimit të Kushtetueses.

Do t’i bëjmë thirrje edhe atyre që e kanë në dorë, ligjvënësve të tregohen më të kujdësshëm me veprimet që po kryejnë pas daljes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Jemi apo jo përballë një fakti penal, duhet të vazhdojmë të bëjmë kallëzime penale kundër atyre personave që e pengojnë ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.

Vendimi që u mundëson rritjen e pagës magjistratëve u mor njëzëri nga Gjykata Kushtetuese ndërsa apeli i unionit të gjyqtareve në mbledhjen e asamblesë së përgjithshme ishte edhe për plotësimin sa më të shpejtë të vakancave në sistem.

 

 

gjyqtarët rritje page