Aktualitet20 Qershor 2024, 14:00

Hetimi për pasurinë, Anila Hoxha: SPAK dërgon letër porosi në Britani për çiftin Meta-Kryemadhi

Shkruar nga Pamfleti
Hetimi për pasurinë, Anila Hoxha: SPAK dërgon letër porosi
Gazetarja Anila Hoxha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

Gazetarja Anila Hoxha ka deklaruar ditën e sotme se SPAK ka dërguar letërpororsi për kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe bashkëshorten e tij, deputeten Monika Kryemadhi.

Sipas gazetares, dërgimi i letërporosive vjen nga hetimi që po bëhet nga Prokuroria e Posaçme për pasurinë e çiftit.

“Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka dërguar së fundmi letërporosi edhe në Britaninë e Madhe për të marrë informacion shterues sa i takon shkollimit dhe udhëtimeve nga njëra anë të çiftit Meta dhe shkollimit të fëmijëve të tyre.

Është një veprim i kryer nga SPAK së fundmi siç ka dërguar letërporosi në Qipro, sa kohë ka përcjellë një informacion të vakët sa i takon lobimit me kompaninë qipriote dhe meqenëse informacioni ka qenë disi i cunguar, SPAK ka vlerësuar se duhet të komunikojë sërish bazuar në marrëdhëniet juridiksionale të shteteve përkatëse për të përfituar informacion.”, tha Hoxha.

Ju rikujtojmë se 24 orë pasi shkallët e Prokurorisë së Posaçme i kishte ngjitur bashkëshortja e tij kryemadhi, në SPAK të enjte  (13 qershor 2024) u paraqit Ilir Meta.

“Unë po shkoj te Dumdumani, kur të dal do ju tregoj"- tha Meta në hyrje në Prokurorinë e Posaçme.
Për mbi 3 orë e 20 minuta kreu i PL është pyetur për të njëjtën çështje, pasuria, paratë dhe lobimet në SHBA. Në pyetje u mor nga prokurori i dosjes së hetimit pasuror dhe lobimeve në Uashington Sotir Kllapi, por si në hyrje edhe në dalje akuzat e forta i kishte për kreun e SPAK, pa lënë mënjanë etiketimet fyese.

“U pyeta në cilësinë e kundërshtarit të këtij narko shtetit që e mban në këmbë Dum Dumani, që në vend që të hetojë McGonigal dhe të ndalojë Edi Ramën dhe inceneratorët dhe Portin e Durrësit, merret me laraskat dhe përrallat e tij. SPAK është kthyer falë dumdumanit në një parti bashkëqeverisë të Edi Rama”- tha Meta.
Thirrjen në SPAK e shikon të pakuptimtë, pasi të gjitha veprimet për të cilat i kërkojnë llogari i bëjnë të tjerët duke iu referuar Kryemadhit, të cilën e cilëson si bashkëpunëtore të SPAK-ut.

‘Unë u pyeta kot më kot për gjëra që nuk kanë lidhje me mua por me veprimet e të tjerë, të miqve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të SPAK-ut.

Tani po iki se kam tryezën, kam sipërmarrjen. Këtë do Dum Dumani. Që mos të merremi me gjë ne, këtë detyrë i ka caktuar Edi Rama Dum Dumani.  (hajde shef te ikim se jemi vonë). Si kundërshtar i regjimit Dumdumanin tuaj që bënë tërë ato akte kriminale për të shpëtuar Edi Ramën”- tha Meta.

spak