TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet17 Qershor 2026, 20:46

Ilir Kulla: Protesta ka tejkaluar objektivat dhe ka thyer bipolarizmin politik në Shqipëri

Shkruar nga Pamfleti

Ilir Kulla: Protesta ka tejkaluar objektivat dhe ka thyer bipolarizmin politik

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka vlerësuar se protestat që po zhvillohen në Shqipëri kanë arritur jo vetëm objektivat e tyre fillestare, por i kanë tejkaluar ato, duke sjellë sipas tij ndryshime të rëndësishme në peizazhin politik të vendit.

I ftuar në emisionin “Të Pashoq”, Kulla tha se Shqipëria ka kaluar një periudhë 35-vjeçare tranzicioni të dominuar nga pak forca politike dhe pak individë, ndërsa protesta aktuale ka treguar se qytetarët mund të organizohen dhe të ndikojnë në jetën publike edhe pa mbështetjen e mediave tradicionale.

Sipas Kullës, kryeministri Edi Rama duhet të lexojë mesazhin që po përcjell protesta dhe të marrë rolin e udhëheqësit të reformave që kërkon shoqëria shqiptare. Ai kritikoi gjithashtu përpjekjet për ta minimizuar ose delegjitimuar protestën përmes teorive konspirative, duke theksuar se kërkesat e protestuesve lidhen me nevoja reale të shoqërisë shqiptare.

Sipas tij, një nga efektet më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje është goditja e modelit tradicional të bipolarizmit politik në Shqipëri, të cilin ai e lidhi me marrëveshjen politike të vitit 2008 mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në analizën e tij, ai u ndal edhe te ndikimi i populizmit në politikën shqiptare, duke argumentuar se rrjetet sociale dhe format e reja të komunikimit kanë ndryshuar mënyrën se si krijohet mbështetja politike.

Për të ilustruar këtë fenomen, Kulla solli shembullin hipotetik se figura jashtë politikës tradicionale mund të fitonin mbështetje të gjerë publike nëse do të mbështeteshin nga lëvizje të fuqishme qytetare.

“Në këtë periudhë të tranzicionit, kemi patur një 35 vjeçar të monopolizuar politikisht nga dy partitë e mëdhaja dhe nga pak lider, pak duar. Pra nëse në biznes kemi pak a shumë po të njëjtat emra që kanë qenë në fillim të viteve kur filloi kapitalizmi e tjerë, pra edhe atje nuk ka ndryshim gjeneracional. Idem në media, por tashmë kjo protestë dhe rrjetet sociale treguan që s'të duhet më as televizioni për këtë punë.

Atëherë, na çon që të reflektojmë që, unë them që kjo protestë jo vetëm që ka mbërritur objektivat, po i ka tejkaluar. Dhe do të ishte në mençurinë e një lideri politik si Edi Rama, që të kuptonte që mesazhet e asaj proteste, nevojën për tranzicion që transmeton ajo protestë, ta udhëhiqte vetë ai, duke bërë atë që i ka thënë një mikut të vet, që është dhe miku im, shumë vite përpara, duke i thënë që unë do të jem lideri i fundit i tranzicionit në Shqipëri. Çdo lloj forme që e bën atë mohues, negacionist, çdo lloj teorie konspirative, siç janë ato që kishin në fillim domethënë, kujtojnë Edi Rama se nuk e dinë shërbimet sekrete të botës ku është Irani, çfarë bën Irani, e ku janë shërbimet greke, çfarë bëjnë e të tjerë. I dinë më mirë se ne ata, s'ka nevojë që t'ja përkthejmë ne në këtë gjuhë. Jo vetëm që e largon nga ky mision që të them, pra në qoftë se unë do isha sot këshilltari i tij do t'i thoja: "Bëhu ti përçuesi i zërit të protestës dhe filloji ti reformat që duan njerëzit."

Paçka se ti nuk flet me të. Edhe Irani nuk fliste me SHBA, dhe SHBA me Iranin, po negocionin me palë të treta. Sepse gjërat që kërkojnë ata në shesh janë gjërat që i duhen kësaj shoqërie, këtij vendi. Herë pas here janë gjëra që i ke artikuluar dhe ti publikisht, apo njerëzit e tu. Dhe unë mendoj që në javën e tretë të protestës, protesta jo vetëm që është forcuar, sepse nuk shihet forca e protestës nga është rritur numri apo pakësuar numri, se ta shpjegova, në fillim fare ishin shumë pak veta, e megjithatë vajti atje ku vajti. Por shihet nga procesi që ka nisur dhe ki parasysh që bipolarizmin politik të betonizuar me marrëveshjen e vitit 2008 mes Berishës dhe Ramës, se ky është problemi, e shkatërroi kjo protestë. Kam thënë në Kosovë para dy ditësh, duhet ta sqaroj mirë pra, unë nuk jam partizan i kësaj gjëje, por kam thënë që në qoftë se sot ata njerëz që janë në shesh, me populizmin që ka krijuar... sepse ata janë populistët. Dhe sistemin populist në politikën shqiptare, pra me rrjetet sociale e të tjerë e të tjerë, nuk e kam futur unë, unë jam i shkollës Fatos Nanos që duhen institucionet partiake, duhet demokracia partiake, e të tjerë e të tjerë.

Nuk e kam krijuar unë, e ka krijuar kjo dyshja pra, futjen e populizmit, rrjetet sociale, e të tjerë e të tjerë. Nëse sot, pra, për shkak të populizmit që kanë krijuar dhe e ka udhëhequr Edi Rama këtë proces, pa më të voglin dyshim, pra populizmin në politikë”, tha Kulla.

kulla protesta

1 Komente

  1. G
    Gj.Kola

    Ilir Kulla njohësi më i mirë i realitetit shqiptare. Mund të bëjë qasjen e tij ...

    Lini një Përgjigje