TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet22 Qershor 2026, 08:25

Incidenti me gazetarin gjatë protestës, kush janë dy personat që e sulmuan; kallëzimi në polici dhe denoncimet

Shkruar nga Pamfleti
Incidenti me gazetarin gjatë protestës, kush janë dy personat
Osman Stafa

Gazetari kallëzon dy persona në polici; palët japin versione të ndryshme për shkaqet e konfliktit...

Një incident ka ndodhur gjatë protestës së djeshme, dita e 22-të që disa mijëra qytetarë, kërkojnë largimin e Kryeministrit Edi Rama. Incidenti ka ndodhur në sheshin “Skënderbej”, ku sipas raportimeve dy persona kanë pasur një debat me gazetarin Osman Stafa, i cili është edhe një nga folësit në protestat që kanë hyrë në javën e katërt.

Stafa ka denoncuar një sulm fizik ndaj tij mbrëmjen e së dielës në qendër të Tiranës, duke deklaruar se ngjarja lidhet drejtpërdrejt me ushtrimin e detyrës së tij si gazetar dhe me angazhimin qytetar në mbështetje të protestës së zhvilluar në kryeqytet. Pas incidentit, Stafa u paraqit në Komisariatin nr. 3, ku depozitoi kallëzim ndaj dy personave, të cilët, sipas tij, e kanë ofenduar dhe lënduar fizikisht.

Në një lidhje direkte për News24, gazetari rrëfeu detajet e ngjarjes, duke thënë se në momentin e incidentit ndodhej në shoqërinë e dy gazetarëve të huaj, një italian dhe një polake.

“Po marshonim për të kapur turmën. Dy persona na kanë prerë rrugën duke ofenduar dhe më kanë lënduar lehtë fizikisht, duke më cilësuar si një person që punën time nuk e bën mirë. Nuk kam reaguar ndaj këtij provokimi”, deklaroi Stafa.

Sipas tij, personat që e kanë përballur ishin të pakënaqur me raportimet dhe qëndrimet e tij publike lidhur me protestën.

“Ishin dy persona që ishin të shqetësuar për raportimet dhe mbështetjen që i kam dhënë protestës. E dinin që isha gazetar dhe erdhën duke më çjerrë me thonj”, tha ai.

Gazetari këmbënguli se incidenti nuk ka lidhje me pretendimet e ngritura nga pala tjetër dhe e cilësoi ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj profesionit të tij.

“Nuk jam shoqëruar, por kam ardhur në Policinë e Shtetit për të kallëzuar dy personat. Ishte sulm i mirëfilltë ndaj detyrës sime si gazetar”, u shpreh Stafa.

Gjatë deklaratës së tij, gazetari bëri të ditur se nuk është hera e parë që përballet me kërcënime për shkak të punës së tij. Ai tha se më herët kishte marrë mesazhe kërcënuese, të cilat i kishte kallëzuar pranë autoriteteve.

“Kam marrë edhe kërcënime në të kaluarën se po u paraqita para spitalit Onkologjik do të më rrezikohej jeta. Ky është mesazhi që kam kallëzuar disa kohë më parë në Policinë e Shtetit”, deklaroi ai.

Reagimi i Policisë

Në një njoftim zyrtar, Policia e Shtetit bëri të ditur se ngjarja është raportuar më 21 qershor 2026, rreth orës 22:00, pranë sheshit “Skënderbej”.

Sipas policisë, menjëherë pas njoftimit në vendngjarje kanë ndërhyrë shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, të cilat kanë parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe kanë shoqëruar në komisariat personat e përfshirë.

Policia konfirmon se gazetari Osman Stafa ka kallëzuar se është sharë, ofenduar dhe gërvishtur nga dy shtetas, të identifikuar me inicialet Z. N. dhe M. P., duke pësuar dëmtime të lehta.

“Konkretisht, shtetasi O. S., gazetar, ka kallëzuar se është sharë, ofenduar dhe gërvishtur nga shtetasit Z. N. dhe M. P., duke pësuar dëmtime të lehta”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Versioni i të kallëzuarve nga gazetari

Ndërkohë, dy qytetarët e përfshirë në konflikt kanë dhënë një version të ndryshëm të ngjarjes.

Sipas deklarimeve të tyre para policisë, konflikti ka nisur pas një debati verbal me gazetarin, pasi ky i fundit, sipas tyre, u ka kërkuar llogari për mungesën e tyre në protestën e zhvilluar në qytet.

Ky pretendim është hedhur poshtë nga gazetari Stafa, i cili ka deklaruar publikisht se nuk ka pasur një përballje të tillë dhe se personat në fjalë kanë shkuar qëllimisht drejt tij për ta sulmuar.

Autoritetet kanë nisur procedurat për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit.

Policia njofton se veprimet procedurale dhe hetimore po kryhen në bashkëpunim me Prokurorinë, ndërsa pritet të verifikohen deklarimet e të gjitha palëve, dëshmitë e personave të pranishëm në vendngjarje, si dhe çdo provë tjetër që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të incidentit.

 

protesta osman stafa incidenti

Lini një Përgjigje