
Përpara godinës së Kryeministrisë, mes turmës së protestuesve që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, një zë i dridhur nga dhimbja dhe zemërimi tronditi atmosferën. Një qytetar që kishte qenë pjesë e ngjarjeve të 21 janarit 2011, ngriti zërin për të kujtuar katër shokët e tij që humbën jetën në atë protestë dhe për të kërkuar drejtësi që nuk ka ardhur kurrë.
"Unë këtu kam qenë më 21 janar 2011. Katër shokët e mi u vranë për të sjellë në pushtet këtë zotërinë që është sot," - deklaroi protestuesi me zë të dridhur, duke treguar me gisht drejt Kryeministrisë.
Ai përmendi emrat e viktimave të asaj nate të errët: Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika, Faik Myrtaj. Emra që sot, 15 vjet më vonë, vazhdojnë të jenë të lidhur me një drejtësi të paprekur.
"Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika, Faik Myrtaj duan drejtësi," - theksoi ai, duke bërë thirrje të prerë për SPAK-un që të zbardhë një herë e mirë ngjarjen dhe të vërë përpara përgjegjësisë liderët politikë.
Por akuzat e tij nuk u ndalën këtu. Me tone të ashpra, protestuesi goditi të gjithë klasën politike duke u shprehur: "Ne kemi gjak shqiptari, partia ka marrë fund." Ai vijoi me një deklaratë të rëndë: "Thërrasim SPAK-un, sepse Rama dhe Berisha kanë vrarë," - duke lidhur në të njëjtën akuza dy liderët që kanë dominuar skenën shqiptare për dekada.
15 vjet pritje për drejtësi. Sot, protestuesi kërkoi më shumë se një dorëheqje: ai kërkoi llogari për gjakun e miqve të tij. Mesazhi i tij ishte i qartë: kjo protestë nuk është vetëm për të ardhmen, por edhe për të kaluarën e paardhur kurrë në dritë.
Lini një Përgjigje