Shembja e ndodhur në zonën e njohur si “Arrat e Gurres” ka bllokuar prej të shtunës aksin kombëtar Librazhd–Përrenjas, duke izoluar juglindjen e vendit. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ende nuk jep një afat të saktë për stabilizimin e plotë të situatës.
Drejtori i Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, Indrit Koleci, deklaroi se aktualisht po vijojnë studimet teknike në terren dhe për këtë arsye nuk mund të përcaktohet një afat konkret për përfundimin e ndërhyrjes.
“Nuk mund të themi akoma një afat, ne kemi bërë relevim të të gjithë zonës së poshtme të lumit. Kemi bërë një rilevim të shtratit të lumit, do bëjmë edhe një rishikim për trupine ri rrugor që do të ndërtojmë, për të qenë të sigurt. Gjithashtu vazhdojmë sudtimet për pjesën e sipërme për masën e rrëshqitjes.
Afate nuk mund t’ju themi pasi janë volume të konsiderueshme, nuk mund të ngutemi dhe të themi diçka që më pas të tërhiqemi. Si parashikim, afati mund ta kemi brenda 3-4 ditëve do jemi në gjendje të themi që punimet do mbarojnë për kaq kohë. Do vijojmë me masat që kemi marrë deri më tani. ARRSH i ka dhënë alternativat e veta, kjo rrugë nuk i përmbush standardet e sigurisë”, tha Koleci.
Edhe pse ky është një aks kombëtar me rëndësi të veçantë, për shkak të lidhjes me pikat kufitare dhe qarkullimit të lartë të mjeteve, ARRSH nuk ka dhënë ende një zgjidhje konkrete për qytetarët. Nga kjo situatë janë prekur mijëra banorë, biznese, shoferë dhe udhëtarë që përdorin çdo ditë këtë segment rrugor.
Bllokimi i aksit ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta në ekonomi. Situata po reflektohet në rritjen e çmimeve të biletave të transportit, shtimin e kostove për produktet e importit dhe një ndikim të përgjithshëm në treg. Po ashtu, operatorët turistikë raportojnë ulje të fluksit të vizitorëve në zonën juglindore.
Nga ana tjetër, kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se është inspektuar rruga alternative Spathari, por ajo nuk plotëson kriteret e sigurisë.
“U bë inspektimi i rrugës Spathari që ditën e diel nga ekspertët tonë dhe ky aks është 15.1 km dhe nuk ofron siguri rrugore dhe është një aks që ne nuk do e marrim në konsideratë për të investuar mbi të.
Nga mbrëmja e djeshme kontraktori ka nisur zbatimin e vendimeve të Këshillit teknik e tre pre tyre, konkretisht mbulimin e shtatit lumor, demolimin e urës që ka ndodhur sot në mëngjes dhe lehtësimin e masës së rrëshqitjes në anën e sipërme, kjo për të çuar skarpatin drejt një ekuilibri natyral të saj”, tha Kozeli.
Ndërkohë, situata në terren mbetet problematike dhe kërkon një zgjidhje të menjëhershme, në një nga akset më të rëndësishme të infrastrukturës kombëtare.
Lini një Përgjigje