Një pjesë e rrugës në fshatin Picrragë, rreth 3 kilometra nga qyteti i Krujës, ka pësuar shembje për shkak të rrëshqitjeve të dheut, duke krijuar rrezik për banorët dhe automjetet që kalojnë në këtë segment.
Situata është denoncuar publikisht nga ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Aulon Kalaja, i cili ka shpërndarë pamje nga vendi ku dallohet dëmtimi i konsiderueshëm i rrugës. Sipas tij, segmenti është ndërtuar vetëm tre vite më parë, por aktualisht paraqet çarje dhe zhvendosje të trupit të rrugës, duke vënë në rrezik edhe një banesë pranë saj.
“Kjo është rruga e shembur e Picrragës, vetëm 3 km nga Kruja. Këtu jam te rruga e ndërtuar para 3 vitesh. Doja të denoncoja rrëshqitjet që kanë ndodhur në këtë rrugë, si dhe rrezikun që ka kjo shtëpi dhe këta banorë që kalojnë këtu nga rrëshqitja e dheut. Autoritetet duhet të marrin masa”, shprehet Kalaja.
Ai thekson se aktualisht kalimi në këtë aks është i pasigurt edhe për një mjet të vetëm, pasi nuk është e qartë se si mund të vijojë shembja. Sipas tij, dy automjete nuk mund të kalojnë njëkohësisht dhe mungojnë sinjalizimet paralajmëruese, sidomos gjatë orëve të natës.
Ndërkohë, banorët e zonës kanë vendosur shenja të improvizuara për të paralajmëruar drejtuesit e mjeteve mbi rrezikun, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për stabilizimin dhe rikonstruksionin e segmentit.
Lini një Përgjigje