Prej 3 javësh vijojnë edhe sot protestat e banorëve të Baks-Rrjollit, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e një resorti në zonën e tyre.
Edhe këtë të mërkurë ka pasur përplasje mes banorëve dhe forcave të policisë, që kanë rrethuar kantierin e ndërtimit.
Banorët kanë tentuar të ndalojnë punimet, por policia i ka larguar, duke shtyrë edhe gratë që ishin afruar në vendngjarje, gjë që ka acaruar situatën.
Gjatë përplasjeve, një person ka humbur ndjenjat dhe ka përfunduar në tokë pa ndjenja, duke kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme mjekësore.
Banorët insistojnë se janë pronarë autoktonë të tokave dhe kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të mbrojtur të drejtat e tyre, ndërsa tensionet në zonë vazhdojnë pa një zgjidhje të menjëhershme.
Ditë më parë, njëri prej banorëve, dhe zëri kryesor i tyre kundër punimeve që po kryhen, 60-vjeçari Prek Mollaj u arrestua nga policia ndërsa 5 të tjerë u shpallën në kërkim. Ata dyshohet se goditën një punonjës të kompanisë së Bashkim Ulajt, kanë nxitur akte dhune, duke thyer xhamat e disa mjeteve në kantier, si dhe kanosën një punonjëse policie.
Me statusin e investitorit strategjik, Bashkim Ulaj në fillim të shkurtit nisi punimet për ndërtimin e “Blue Borgo” në një sipërfaqe prej 146 hektarësh.
Projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, me objekte nga 3 deri në 10 kate mbi tokë dhe një kat nëntokë, ndërsa subjekti zhvillues është shoqëria “ABA Blue Borgo”.
Ndërsa banorët pretendojnë se ky resort po bëhet në pronat e tyre që ua ka grabitur me letra false një person me emrin Fatmir Shpellzaj, i cili më pas ia ka shitur botuesit Bashkim Ulaj. Prej më shumë se 3 javësh protesta, nga ana e biznesmenit Ulaj edhe Fatmir Shpellzës, i cili pretendon pronësinë e tokës, nuk ka pasur asnjë tentativë për t’u ulur e biseduar me banorët për të gjetur një marrëveshje.
Lini një Përgjigje