Gazetari Ferdinand Dervishi ka komentuar veprimet e vrasësit të njohur me pagesë, Julian Sinanaj.
Ai shprehet se Sinanaj mund të krahasohet me filmin “Leon” dhe shton që në dosjen e tij thuhet se refuzonte të merrej me fëmijët e viktimave.
“Unë e kam parë dosjen e tij dhe ai është i vetmi vrasës që ngjan se atë e ka pasur profesionin e jetës dhe e ka mësuar aq mirë saqë e ka ndërtuar në mënyrën më të mirë. Shiko filmin ‘Leon’ dhe është Juliani. Është në atë nivel. I frikshëm. Kur piketonte të bënte një vrasje në një qytet, merrte një shtëpi për të qëndruar vetë, një shtëpi për të mbajtur armët dhe një shtëpi pranë vendit ku do të bënte vrasjen. Në Vlorë, kur ka bërë një vrasje, i thanë që do vriste dhe djalin dhe ai i tha që nuk vriste fëmijë”, shprehet Dervishi në "Top Story".
Në deklaratat e para, Julian Sinanaj shfaqi një tipar që e dallonte nga çdo i penduar tjetër: nuk akuzoi të tretë për të fituar favore.
Foli për veten. Për krimet që kishte kryer. Me qetësi klinike, tregoi se si kishte organizuar vrasjen e biznesmenit në Tiranë. Si kishte koordinuar bashkëpunëtorët. Ai nuk ishte një i penduar klasik. Ishte një njeri që, siç tha vetë, “ishte lodhur”. Jo nga ndërgjegjja, por nga lodhja logjistike: duke fshehur gjurmët, duke ruajtur veten, duke mos i besuar askujt. Ishte lodhur nga perfeksioni.
Fillimisht, ai zgjodhi të fliste, duke treguar gjithçka: emra, skema, vendndodhje, mekanizma vrasjeje, detaje që vetëm autori i krimit mund t’i dinte. Zinxhiri i emrave nga biznesi dhe bota e krimit që përmendi, kishte ndikim nga Vlora deri në Tiranë. Rrëfimet e tij nxorrën në pah balancën e rreme të paqes që këta personazhe ruanin. Me Sinanajn ndodhi ajo që nuk pritej. Ai kuptoi se jo gjithçka që thoshte po shkonte aty ku duhej. Jo çdo informacion po ndiqej. Disa pista po mbeteshin pezull, disa emra nuk po prekeshin fare. Marrveshja me prokurorinë u thye. Ai u tërhoq. Julian Sinanaj nuk u tërhoq nga frika. U tërhoq nga diçka shumë më e thellë dhe më e rrezikshme: nga humbja e besimit.
Pas prishjes së marrëveshjesh, me argumentin se ka ndihmuar në zbardhjen e ngjarjeve, Julian Sinanaj nuk mori burg përjetë, por vetëm 30 vite. Ai u dënua për vrasjen e Sokol Veizajt dhe Agron Çelës, atentatet e dështuara me tritol ndaj Komisionerit për të Drejtën e Informimit Besnik Dervishaj si dhe ish deputetit demokrat Ardian Kollozi. Po ashtu, ai foli edhe për planifikimin e vrasjeve për biznesmenin e gazit Piro Bare dhe dy ndërtues në Vlorë. Fatmirësisht, ato ngjarje nuk u realizuan. Para hetuesve, ai zbuloi të fshehta të nëntokës kriminale në Vlorë dhe mënyrën si figura me të kaluar të errët ishin shndërruar në biznesmenë të njohur.
Lini një Përgjigje