Autoriteti Kombëtar i Ushqimit konfirmon bllokimin e 68 paketimeve në Shqipëri, pas njoftimit nga autoritetet europiane për praninë e toksinës cereulide
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të qumështit për foshnje “Beba Supreme Pre”, pas sinjalizimit nga sistemi europian i sigurisë ushqimore për praninë e një substance toksike.
Bëhet fjalë për produktin “Beba Supreme Pre”, paketim 800 gram, me datë skadence maj 2027. Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, kompania “Rossmann & Lala” ka importuar gjithsej 186 njësi të këtij produkti.
Nga kjo sasi, 114 paketime janë eksportuar në Kosovë, ndërsa 72 të tjera janë shpërndarë në rrjetin e dyqaneve në Shqipëri. AKU deklaron se ka bllokuar 68 paketime në territorin shqiptar, ndërsa katër prej tyre rezultojnë të shitura.
Autoriteti u ka bërë thirrje konsumatorëve që e kanë blerë këtë produkt të mos e përdorin dhe ta kthejnë pranë pikave të shitjes ku e kanë marrë. AKU thotë se ka njoftuar rrjetin e tregtimit për procedurat e tërheqjes dhe kthimit.
Edhe në Kosovë, qumështi për foshnje “Beba Supreme Pre” 800 gram është bllokuar. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka bërë të ditur se sasia e ndaluar do të asgjësohet sipas protokolleve ligjore.
Ky nuk është rasti i vetëm. Javën e kaluar, AKU bllokoi edhe qumështin për bebe “Aptamil 1 Pronutra”, paketim 800 gram, me datë skadence nëntor 2026, si dhe më herët produktin “Nan 1 Optipro” 800 gram.
Sipas AKU-së, masat u morën pas njoftimit nga autoritetet europiane se në këto produkte ishte identifikuar substanca cereulide, një toksinë e prodhuar nga bakteri Bacillus cereus.
Specialistët shpjegojnë se cereulide mund të shkaktojë diarre, dhimbje barku dhe në disa raste ethe të lehta, zakonisht 8 deri në 16 orë pas konsumimit.
Autoritetet ushqimore theksojnë se ndjekja e zinxhirit të shpërndarjes dhe njoftimi i konsumatorëve mbetet prioritet për rastet e produkteve të pasigurta.
Lini një Përgjigje