Ju ftojmë të ndiqni Edicionin Informativ me zhvillimet kryesore nga vendi, rajoni e bota deri në këtë orë, ku ndër të tjera veçojmë:
Gjykata Kushtetuese u mblodh për çështjen “Balluku”, për ankimin e kryeministrit Rama kundër GJKKO-së.
Pas dy shtyrjeve radhazi, mbetet e paqartë nëse do të ketë një vendim përfundimtar apo do të kërkohet sërish kohë.
Në këtë klimë tensioni institucional, SPAK doli me një mesazh të prerë: vepron në mënyrë të pavarur dhe heton vetëm mbi bazën e provave.
Deklaratë që vjen mes debatit të fortë politik për drejtësinë.
Ndërkohë, Shoqata e Prokurorëve u takua me KLP-në, me fokus te pavarësia, profesionalizmi dhe integriteti i trupës së prokurorëve.
Përplasja për pagat është përshkallëzuar.
Qeveria vendosi indeksimin me 2.5% të pagave të gjyqtarëve, ndërsa përfitojnë edhe kategori të tjera në administratë.
Vendimi vjen mes kritikave për rritje reale dhe jo vetëm nominale.
Nga ana tjetër, Berisha akuzon ministrin Peleshi për censurë të një mesazhi të DASH mbi rreziqet e karteleve shqiptare.
Ndërkohë, Dashnor Sula u emërua kryeinspektor i përgjithshëm me vendim qeverie, duke shkaktuar reagim të ashpër nga Flamur Noka.
Qeveria miratoi edhe amnistinë penale: 447 persona lirohen menjëherë, ndërsa 853 të tjerë përfitojnë ulje dënimi.
Situata mbetet e tensionuar edhe në terren.
Moti i keq ka rikthyer përmbytjet në Durrës e probleme në Himarë.
Në Rrjoll, banorët përplasen me policinë kundër ndërtimit të një resorti luksoz.
Ndërkohë, tragjedia e familjes Kola në Itali ka prekur opinionin publik, ndërsa familjarët kërkojnë ndihmë për riatdhesimin e trupave.
Flamujt kuqezi “veshin” Olimpiadën në Itali, ku Presidenti Begaj ishte mes personaliteteve botërore në darkën gala në Milano-Cortina 2026...
Si po e përdor Salvini, Olimpiadën Dimërore? Mundësi për të rifituar terren në veri të Italisë, bastionin tradicional të partisë së tij
Në rajon, Kosova kërkon reagim ndërkombëtar pas arrestimit në Serbi të një veterani të UÇK-së.
Presidentja Osmani deklaron se “Trump e meriton Çmimin Nobel”, duke theksuar mirënjohjen ndaj SHBA-ve.
Në arenën globale, tensionet rriten: SHBA dhe Irani ulen në Oman mes paralajmërimeve për përshkallëzim.
Skadimi i traktatit “New START” rikthen pasiguritë bërthamore mes Uashingtonit dhe Moskës.
Në Rusi, një gjeneral u qëllua në Moskë, ndërsa Lavrov akuzon Ukrainën për minimin e negociatave për paqe.
Lini një Përgjigje