Aktualitet 9 Qershor 2023, 12:44

Klinikë dentare, 5 lokale e 1 milion USD pasuri e fshehur; kush është gjyqtarja e Durrësit që u grabit nga hajdutët

Shkruar nga Pamfleti
Klinikë dentare, 5 lokale e 1 milion USD pasuri e fshehur; kush
Shpetime Pitaku

Një ose më shumë persona kanë hyrë në një nga banesat e gjyqtares së Durrësit, Shpëtime Pitaku, duke i vjedhur 2 mijë euro dhe disa bizhuteri. Gjyqtarja e Durrësit duket se ka qenë jo rastësisht objektiv i hajdutëve. Përpos të tjerave, Shpëtime Pitaku ka deklaruar se posedon edhe 7 pasuri të paluajtshme, nga të cilat fiton dhjetëra mijëra euro në vit, pasi i ka dhënë me qira. Gjyqtarja e Durrësit deklaron një klinikë dentare, të cilën e ka dhënë me qira. Pitaku deklaron edhe 5 lokale, të cilët gjithashtu i ka dhënë me qira. Vetëm nga një lokal me konstruksion druri, deklaron mbi 9 mijë euro në vit të ardhura nga qiraja. Një tjetër lokal e ka me vendodhje para Gjykatës së Durrësit.

Zonja Pitaku pohon se ka marrë edhe një kredi në shumën 60 mijë euro, për blerjen e një shtëpie me sipërfaqe 135 m2. Në nëntor të vitit 2015, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive kallëzoi Prokurori gjyqtaren Shpëtime Pitaku, për fshehje pasurie dhe dyshim për pastrim parash. Pitaku akuzohej se ka fshehur rreth 1 milion dollarë pasuri, përmes falsifikimit të dokumenteve. ILDKPKI tha në atë kohë se kishte realizuar kontrollin e plotë të pasurisë së deklaruar të gjyqtares Pitaku.

"Në përfundim të kontrollit të plotë rezultuan fshehje të pasurive, deklarime të rreme të interesave private, falsifikime dokumentesh, mungesë burimesh të ligjshme financiare dhe dyshime për pastrim parash në shumën rreth 1 milion USD dhe për rrjedhojë subjekti Shpëtime Pitaku është kallëzuar penalisht për veprat penale të parashikuara nga nenet 257/a/2 dhe 287 të Kodit Penal", njoftonte ILDKP. Dosja e referuar në prokurori është mbyllur në heshtje ashtu si rreth 500 dosje të tjera për fshehje pasurie dhe pastrim parash./Adriatik Doci

 

shpetime pitaku durres gjyqtare pasuri e fshehur