Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, ka konfirmuar se 11 qytetarë shqiptarë ndodhen të bllokuar në Izrael, në një moment kur SHBA dhe Izraeli kanë nisur sulme ndaj Iranit. Teherani i është kundërpërgjigjur Izraelit me raketa, si dhe ka goditur baza ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme.
Sipas ambasadores Kumbe, qytetarët shqiptarë janë udhëzuar të strehohen në zona të sigurta, ndërsa situata në terren mbetet e rrezikshme.
“11 qytetarë shqiptarë janë të bllokuar në Izrael dhe u kemi dhënë udhëzime që të strehohen në vend të sigurt. Më shumë dëme ka pasur në Tel Aviv dhe qytetet e tjera, ku ka infrastrukturë jetike, siç është energjia apo vendet ku ka baza ushtarake. Qytetarëve iu është thënë se situata është e rrezikshme dhe vend-strehimoret kanë qenë gjithmonë gati,” deklaroi ajo.
Autoritetet izraelite kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme deri më 2 mars, ndërsa nuk ka ende një afat të qartë se sa mund të zgjasë përshkallëzimi i situatës. Ambasada shqiptare u ka bërë thirrje qytetarëve që të ruajnë qetësinë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Lini një Përgjigje